Foto arkiv

Fajdetë në Prizren: Një i arrestuar e katër në kërkim, dyshohet se i shkaktuan dëm një viktime rreth 700 mijë euro

Në Prizren u organizua një operacion policor kundër fajdesë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person u arrestua dhe katër të tjerë janë në kërkim.

“Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve ndaj pesë personave të dyshuar me inicialet: B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” nga neni 331, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 193 dhe “Detyrimi” nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”- ka njoftuar Policia e Kosovës, më 16.03.2026.

Sipas këtij njoftimi, Policia dyshon se këta persona në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguaj shumë të ndryshme parash si interes për fajde.

Policia ka njoftuar se për detyrimin e viktimës, u përdorën forma të ndryshme të presionit dhe dhunës.

“Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë.”- thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas vlerësimeve fillestare të Policisë, dëmi i shkaktuar ndaj viktimës arrin shumën rreth 700 mijë euro, kurse personat e dyshuar sipas Policisë dyshohen se kanë kërkuar edhe rreth 450 mijë euro shtesë në emër të interesit të fajdesë.

Në komunikatë thuhet se me urdhëresë të gjykatës u realizuan kontrolle në pesë lokacione në qytetin e Prizrenit. Lidhur me këtë, një person u arrestua dhe katër të tjerë janë në kërkim policor.

“Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj personit të arrestuar është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.”- thuhet tutje në këtë komunikatë.

Shënim: Titulli është ndryshuar në ora 17:34 më 16.03.2026