Foto: BQK

Emërimi i guvernatorit të BQK ‘në dorën’ e Kuvendit

Komisioni për Buxhet i ka dërguar për votim Kuvendit të Kosovës dy emra për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Ahmet Ismaili me 84 pikë dhe Lulzim Ismajli me 73 pikë janë propozuar për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, nga komisioni vlerësues në krye me Bashkim Nurbojën, përkohësisht guvernator dhe kryetar i bordit të BQK-së.

Deputetja Duda Balje ka kërkuar sqarime se pse është vendosur që të propozohen vetëm dy emra.

“Ne kemi vendosur një kufi andaj vetëm dy persona e kanë kaluar kufirin prej 70 pikësh. Këtë kufi e kemi vendosur para se të fillojnë intervistat” – tha Bashkim Nurboja, njëri nga anëtarët e komisionit përzgjedhës për guvernator.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka pyetur se a ishte anuluar konkursi i kaluar për guvernator.

Nurboja konfirmoi që ata nuk e kanë anuluar konkursin e kaluar.

“Ne vetëm e kemi shpallur konkursin në bazë të rekomandimeve nga ky komision. Nuk e kemi anuluar, vetëm e kemi shpallur. Ne kemi menduar që me rekomandimin e juaj është mbyllur” – ka thënë Nurboja.

Kurse deputeti Korenica reagoi duke thënë se para se të hapet konkursi i ri është dashur që të anulohet konkursi i vjetër.

“Unë konsideroj së para se te hapet konkursi i ri duhet të anulohet konkursi i vjetër. Ne ju kemi rekomandu me fillu rekrutimin po kjo nuk na bjen neve në përgjegjësi për anulim të konkursit. Ju është dashtë me e anulu. Nuk mundet Kuvendi me e hapë e mbyllë konkursin e BQK-së. Për mua është e qartë nuk e keni anulu” – tha Korenica.

Tutje,  mospjesëmarrja në ketë proces e monitoruesve britanikë ngjalli diskutime.

Bashkim Nurboja tha se u kishin bërë ftesë monitoruesve por se ata, sipas tij, nuk kishin pranuar të monitorojnë një proces për herë të dytë.

Me ketë deklaratë nuk u pajtua deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Ju po kallxoni gënjështër këtu. Sipas infove që kam britanikët kanë kërku nga Kuvendi një vendim. Dhe britanezët nuk kanë marrë pjesë në këtë konkurs sepse nuk dojnë me marrë pjesë në një konkurs të përgatitur. Qysh nga fillimi keni marrë pozitën e guvernatorit sipas Ligjit të BQK në rrethana të jashtëzakonshme merret nga kryetari i bordit. Ne së pari nuk kemi pasë rrethana të jashtëzakonshme. Ju keni kërku që zëvendësdrejtori me japë dorëheqje që ju me e marrë këtë pozitë. Unë shqetësohem me këtë gjendje. Është dashtë me vendos Kuvendi dhe jo komisioni. Nuk kemi marrë asnjë informatë ne nga Kuvendi” – deklaroi Lushtaku.

Në fund, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar që Kuvendit t’i  dërgohen dy emrat për votim. Në këtë votim ka abstenuar Visar Korenica nga LVV.

Për herë të dytë, më 7 qershor 2023 ishte hapur konkursi për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, pasi konkursi i parë ishte rekomanduar që të kthehet në pikën zero nga Komisioni për Buxhet.

Hapet për herë të dytë konkursi për Guvernator të BQK-së