Qytetarët e Kosovës morën 241 milionë euro kredi në muajin mars

241 milionë euro është vlera e kredive të reja në bankat e Kosovës për muajin mars, ndërsa mbi 69 milionë euro është shuma e depozitave të reja.

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se 7 miliardë e 500 milionë euro janë asetet e bankave komerciale në Republikën e Kosovës, derisa shuma e depozitave të qytetarëve arrin në 6.05 miliardë euro në total.

Sipas statistikave të bankave komerciale për muajin mars 2024, kapitali i bankave komerciale për këtë muaj ishte 868.56 milionë euro.

BQK bëri të ditur se norma mesatare e interesit në depozita ishte 2.71%, ndërsa norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.24%, përderisa në muajin paraprak ka qenë 6.34%.

Raporti kredi-depozita për këtë muaj ishte në nivelin 84.70%, kurse margjina e normës së interesit në kredi dhe depozita ishte 3.53%, theksoi BQK.