Dyshohet se me forcë tentoi t’ia marr vajzën ish- partneres, arrestohet i dyshuari dhe djali i viktimës

Në orët e mbrëmjes të së shtunës, një rast i dhunës në familje ishte regjistruar në Policinë rajonale të Gjilanit.

Dy persona janë arrestuar mëngjesin e sotëm pasi dyshohen se ishin kacafytur me njëri tjetrin ditën e shtunë.

Policia ka njoftuar se fillimisht njëri nga të dyshuarit, kishte shkuar te shtëpia e viktimës me të cilën kishte bashkëjetuar për tetë vite dhe kishte tentuar me forcë të marrë vajzën e tyre që ishte në moshë 5 vjeçare.

Gruaja dhe vajza kishin kundërshtuar dhe në rast sipas policisë është përfshirë djali i madh i viktimës, që i kishte dalë në ndihmë nënës së tij.

Djali i viktimës dhe ish- partneri ishin kacafytur mes vete dhe kishin filluar ofendimet ndaj njëri- tjetrit.

Pas arrestimit, dy të dyshuarit ishin dërguar në stacion policor të prangosur.

Gjatë intervistimit në polici, ish- partneri i viktimës kishte prezantuar para organeve të rendit një mesazh të djalit të viktimës me përmbajtje kërcënuese të cilën ia kishte dërguar ditë më parë.

Për të gjithë ngjarjen ishte njoftuar edhe Prokurori i Shtetit. Pas analizimit të provave dhe ngjarjes, prokurori kujdestar ka urdhëruar që dy të dyshuarit ish- partneri dhe djali i viktimës të dërgohen në mbajtje.