Dronët bayraktar. Foto: Albin Kurti/Facebook

Droni ‘Bayraktar’ i Kosovës filmohet në Gjakovë - VIDEO

Dronët Bayraktar TB-2, të cilët në korrik të këtij viti i janë shtuar arsenalit të Ushtrisë së Kosovës, janë vënë në përdorim për trajnime.

Këtë informacion e ka konfirmuar për KALLXO.com, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ai ka thënë se kanë realizuar fluturime trajnuese me këta dronë.

“E vërtetë, duke qenë pjese e inventarit, realizojmë fluturime trajnuese me TB2”- ka thënë ai në një përgjigje për KALLXO.com.

Në rrjete sociale dje gjatë ditës ka qarkulluar një video ku shihet një dron Bayraktar duke fluturuar mbi qiellin e Kosovës.

Pamjet janë publikuar në profilin e qytetarit, Ngadhnjim Haxhosaj i cili ka njoftuar se droni është parë mbi qiellin e qytetit të Gjakovës.

“Kjo ndjenjë vërtetë ishte fantastike qe dikur se kam imagjinu. Zhurma e Bajraktarit me ngjalli emocion dhe një siguri e forcë. Ne që jemi rrit me zhurmën e MIG-ut serbë që ndjellte frikë te qytetarët e tash kur e shohim nje dronë ne qiell që është i Kosovës na bën krenar. Bajraktari mbi Gjakovë, krenari, siguri e forcë”- ka shkruar ai në Facebook.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës e KFOR-i dhe është në pritje të përgjigjes.

Në korrik të këtij viti, Kosova ka blerë dronë “Bayraktar”.

Kryeministri Albin Kurti kishte prezantuar dronë “Bayraktar TB-2” të cilat i janë shtuar arsenalit të ushtrisë.

“Arsenalit të ushtrisë  i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare” – pati shkruar Kurti në Facebook.

Në disa përgjigje për KALLXO.com Liridona Gashi, këshilltare politike në këtë ministri ka thënë se brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës ekziston një kornizë për sa i përket përdorimit të dronëve.

“Sa i përket përdorimit të dronëve ekziston korniza brenda FSK-së që e rregullon këtë aspekt, e po ashtu nuk ekziston ndonjë nen përjashtues brenda Rregullores për Sistemet e Mjeteve Ajrore Pa Pilot” – ka thënë Gashi.

Ministria e Mbrojtjes për përdorimin e dronëve: Ekziston korniza brenda FSK-së që e rregullon këtë aspekt