Dosja e Prokurorisë: Mësimdhënësi në Deçan e ka puthur dy herë vajzën e mitur pa pëlqimin e saj

Një mësimdhënës është arrestuar e është suspenduar nga detyra nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur në Deçan.

Për këtë rast, Prokuroria themelore në Pejë ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për mësimdhënësin në fjalë nën dyshimin se ai ka kryer dy vepra penale sulm seksual dhe kanosje.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, e dëmtuara ka deklaruar në stacionin policor se i dyshuari, V.S. e ka puthur në buzë dy herë, pa pëlqimin e saj.

Ndërsa i dyshuari, V.S. ka deklaruar në stacionin policor se e pranon që është mësimdhënës i viktimës, se ka qenë në dijeni të moshës së saj, se e ka përkëdhelur dhe ja ka vendosur dorën në kokë dhe se i njëjti e ka afruar afër vetit për disa sekonda, e ka afruar te faqja.

I dyshuari V.S., e ka mohuar sulmin seksual, por që sipas dosjes së prokurorisë, kjo është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, ngase video-incizimi i kësaj ngjarjeje e vërteton të kundërtën.

Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari V.S., dyshohet po ashtu se ka kanosur edhe personin apo dëshmitarin që e ka bërë video-incizimin e rastit në fjalë.

Këtë të fundit, dosja e prokurorisë tregon se i dyshuari e kishte vërejtur se e kishte bërë video-incizimin dhe se i njëjti e kishte kanosur duke iu drejtuar me fjalët ‘’Ta shkatërroj edhe familjen’’.

Sipas dëshmitarit që ka bërë video-incizimin e ngjarjes në fjalë, i dyshuari V.S. paraprakisht edhe me datën 8 qershor 2023, e kishte puthur viktimën dhe se i njëjti e kishte incizuar.

Të dyshuarit, sipas dosjes së prokurorisë i është bërë edhe sekuestrimi i përkohshëm i sendeve.

Zëdhënësi i prokurorisë themelore në Pejë, ditën e djeshme ka konfirmuar për KALLXO.com se prokurori i shtetit ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje.

“Prokurori ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit” – ka thënë dje zëdhënësi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, mësimdhënësi është suspenduar edhe nga puna.

Këtë për KALLXO.com, e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka konfirmuar se rasti ka ndodhur të premten.

“Është një rast që na ka tronditur për nga natyra për shkak të respektit që e kanë pasur banorët për atë mësimdhënës, dhe nuk e di çka ka mujtë m’i ndodhë. Mirëpo është rast që na ka tronditur të gjithëve” – ka thënë Ramosaj.

Kryetari ka theksuar se menjëherë pas raportimit është marrë masa për suspendimin e mësimdhënësit deri sa të verifikohen procedurat e hetuesisë.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se drejtori i shkollës dhe drejtori i Arsimit e kanë denoncuar mësimdhënësin.