Prokuroria, Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: Lipovica, në kundërshtim me legjislacionin lejoi që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit

Në dosjen 12-faqëshe të Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com janë përshkruar me detaje veprimet dhe mosveprimet e tre të dyshuarve, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një afarist, nën dyshimin për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë, thuhet se ka qenë i paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit.

Mirëpo, Prokuroria ka potencuar se edhe përkundër faktit se pagesat janë realizuar, MINT si autoritet kontraktues ka pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

Rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i Përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj sipas prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në dosje thuhet se me 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete” me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezerves Shtetërore për vitin 2022.  Me këtë vendim, sipas prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për negocim me OE “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

“….Pas të cilave ishin nënshkruar Kontrata, datë 13.03.2022 me O.E. “Yafe Turizm Insant Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e grurit, në sasi 10.000 tonë, me çmim të kontraktuar 4.834.778 Euro dhe Anekskontrata nr.prot. 1960-02, datë 29.03.2022 dhe me O.E. “Xanto SP” ZO.O. In me seli në Gdynia, Poloni si dhe Kontrata nr.1548-02, datë 17.03.2022 për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, në sasi 200.000 litra vaj dhe 120.000 kg.sheqer, me çmim të kontraktuar 276.000 Euro, ku pas nënshkrimit të kontratave i pandehuri kishte urdhëruar dhe bërë trysni ndaj zyrtarëve financiare në MINT, për të realizuar ciklin e pagesave për O.E. të cekur në formë të avansit në lartësi 100% te vlerës se kontratës, mirëpo pavarësisht faktit se pagesa është realizuar në tërësi, në Kosovë si vend i destinimit janë sjellë vetëm 9.947.5 tonë grurë, ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare, ku si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi 601.940 Euro, përkatësisht buxheti i Republikës së Kosovës i destinuar për rezerva shtetërore” – thuhet në dosje.

Gjykata e Prishtinës u ka vendosur sot t’ua jap 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, paraburgimi për Ridvan Muharremin është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq,Durim Osmani, avokati i Irfan Lipovicës, pas seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, ka thënë se në këtë rast nuk ka vepër penale.

“Këtu nuk ka vepër penale, drejtësia nuk bëhet te portalet, drejtësia nuk bëhet nëpër studio televizive. Drejtësia bëhet me njerëz që kanë kryer shkollë e që kanë përvojë shumë të madhe, në cilësinë e avokatit, prokurorit edhe gjyqtarit” – shtoi Osmani.

Ai për tre të dyshuarit tha se janë të pafajshëm.

Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Dosja e Prokurorisë: Vaji, sheqeri e gruri që nuk erdhën në Kosovë