Durim Osmani, avokat i Irfan Lipovicës. FOTO: KALLXO.com

Avokati i zyrtarit të MINT: Këtu nuk ka vepër penale, drejtësia nuk bëhet te portalet

Avokati i Irfan Lipovicës, njërit nga zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i cili është në mesin e tre të arrestuarve nën dyshimin për keqpërdorim të rezervave shtetërore, ka thënë se në këtë rast nuk ka vepër penale.

Durim Osmani, avokati i zyrtarit Irfan Lipovica, pas seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, ka thënë po ashtu se “drejtësia nuk bëhet te portalet e në studio televizive”.

“Këtu nuk ka vepër penale, drejtësia nuk bëhet te portalet, drejtësia nuk bëhet nëpër studio televizive. Drejtësia bëhet me njerëz që kanë kryer shkollë e që kanë përvojë shumë të madhe, në cilësinë e avokatit, prokurorit edhe gjyqtarit” – shtoi Osmani.

Ai për tre të dyshuarit tha se janë të pafajshëm. Derisa tregoi se çka ka thënë edhe i mbrojturi i tij, Irfan Lipovica.

“Që si zyrtar i lartë administrativ në kuadër të ministrisë, ai e ka qendrimin edhe unë pajtohem me të …. që veprimet e tij administrative dhe të organeve administrative janë në përputhje të tërësishme me ligjin dhe ligjet e Kosovës” – tha ai.

Gjykata e Prishtinës u ka vendosur sot t’ua jap 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, paraburgimi për Ridvan Muharremin është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.