Në Bjeshkët e Nemuna gjendet një person i vdekur

Anëtarët e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (SHKSHMK) e kanë gjetur trupin e pajetë të një qytetari, i cili kishte dalë për të ecur sot në mëngjes drejt Majës së Kopranikut, në Bjeshkët e Nemuna, në regjionin e Pejës.

Ata i janë përgjigur menjëherë thirrjes së një qytetari, familjar i viktimës.

Në drejtim të zonës janë nisur anëtarët e SHKSHMK, të Policisë së Pejës dhe nga Spitali.

Sipas njoftimit, kur kanë arritur në vendin e ngjarjes shpëtuesit e kanë gjetur viktimën afër burimit të ujit, afër majës, në lartësi mbidetare 2,000 metra.

“Pas ekzaminimeve të vendit të ngjarjes nga ana e Policisë dhe me konsultim edhe te prokurorit të shtetit, shpëtuesit tanë filluan bartjen e viktimës deri ne vendin ku edhe ka mundur te arrij ekipi mjekësor të cilët pas ekzaminimit të viktimës konstatojnë vdekjen si pasoje e arrestit Kardiak” – thuhet në njoftim.

Viktima është D.M., i gjinisë mashkullore.