Alpinistët kroatë në Majën e Jezercit, Foto: Taulant Balla/Facebook
Vdekja e turistes kroate në Shqipëri, detaje nga ekipi i kërkim-shpëtimit të Kosovës
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka ndarë detaje nga ngjarja ku dyshohet se u gjetë e vdekur në Majën e Jezercit një turiste kroate, më 30.03.2024.
Për këtë rast, Policia e Shtetit në Tropojë njoftoi se një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces” kanë raportuar se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.
Me të marr këtë raportim, Policia tha se menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.
Këto shërbime të Policisë kanë arritur t’i lokalizojnë turistët, porse turistja kroate që u raportua se kishte rënë nga një terren malor me borë, kishte vdekur.
Në anën tjetër, ekipi i kërkim-shpëtimit të Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 11:00 kanë pranuar një thirrje emergjente nga Policia e Bajram Currit dhe qendra e Emergjencave Civile Shqiptare për ndihmë në një aksident malor në majën e Jezercës.
Sipas tyre, pas një koordinimi të shpejtë dhe mbledhje të informatave fillestare me Shërbimin e Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë dhe gjithë autoritetet e shtetit shqiptar, një skuadër e ShKShMK ka filluar operacionin e shpëtimit malor në kordinatat e dërguara.
“Sipas informatave të para një bjeshkatare me shtetësi Kroate kishte rrëshqitur nga faqja malore shumë afër majës së Jezercës në drejtim të greminës, dhe grupi tjetër i bjeshkatarëve nuk kishin më komunikim me viktimën, por kanë pasur qasje në valë dhe kanë lajmëruar autoritetet për ndihmë” – thuhet në njoftimin e ShKShMK-së.
Më tej, ShKShMK njofton se ekipi i tyre së bashku me Policinë e Shtetit dhe me anëtar të shërbimit të kërkim shpëtimit malor kanë filluar një operacion të shpëtimit nga lugina e Valbonës duke u transportuar me helikopter deri në një pikë të afërt ku ka patur mundësi aterimi.
“Fillimisht është bërë çasja te viktima L.Z e lindur më 1981, e cila kishte pësuar lëndime vdejkepruese dhe ishte gjetur pa shenja jete, pastaj është realizuar bartja e kufomëz deri në helikopter për transport në spitalin më të afërt” – njofton ShKShMK.
Pas kësaj, thuhet se operacioni ka vazhduar me çasje te pjesa e tjetër e grupit të cilët ishin ngujuar në një pozitë të rrezikshme.
Me këtë rast, ShKShMK bën të ditur se kanë arritur te të ngujuarit dhe në grupin e tyre ishin shtatë bjeshkatarë, prej tyre katër shtetas të Kroacisë dhe tre të Serbisë.
“Me të arritur te ngujuarit, shpëtuesit tanë kanë ndërtuar sistem të sigurisë me litar duke i lëshuar deri në pikë të sigurt (evakuim teknik) dhe nga aty janë evakuar në drejtim të fshatit Vuthaj të Malit të Zi. Në pjesën Malazeze është bërë kordinimi me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi “GSS Crna Gora” dhe operacioni ka përfunduar me sukses pas 10 orëve të plota” – kanë thënë nga ShKShMK.
Si përfundim, ShKShMK i ka shprehur ngushëllimet për turisten kroate që vdiç në këtë ngjarje.
Së fundmi, ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri, Taulant Balla teksa ka ndarë një video të shërbimeve të Policisë dhe ekipit të kërkim-shpëtimit, ka njoftuar për gjendjen e turistëve që Policia e Shtetit.
Në videon e postuar nga ministri Balla, shihet se si kanë vepruar ekipet e shpëtimit. Ata shihen duke e nxjerrur trupin e turistes së vdekur dhe duke i ndihmuar turistët tjerë.
Sipas ministrit Balla, prej disa orësh Policia në bashkëpunim me Shërbimin e Urgjencës, Forcat e Armatosura dhe Repartin e Kërkim-Shpëtim të Republikës së Kosovës u përfshinë në këtë operacion në malin e Jezercës, të cilin ai e ka vlerësuar të vështirë.
Balla ka thënë se grupi i aplinistëve kishin hyrë nga territori i Malit të Zi dhe kishin mbetur të bllokuar në majën e Jezercës.
Me këtë rast, ai ka njoftuar për gjendjen e alpinistëve tjerë.
“Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë i një shtetasje, e cila kishte humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes në një zonë të thepisur dhe me borë. Pesë nga alpinistët kroatë të asistuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, po kthehen tek mjetet e tyre, në territorin e Malit të Zi. Dy turistë të tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit” – ka shkruar ministri Balla, në profilin e tij në Facebook.