Detaje nga vrasja në Llaushë: Burri u dorëzua në polici dhe tregoi se ka vrarë gruan

51-vjeçari Skender Qerimaj dyshohet se dje me dashje ka vrarë bashkëshorten e tij L.Q pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.

I dyshuari sipas Prokurorisë ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknes dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.

KALLXO.com ka mësuar detaje të reja në lidhje me vrasjen e 48-vjeçares L.Q.

KALLXO.com ka siguruar raportin e ditës kritike kur është kryer vrasja. Siç thuhet në raport, më 5 janar rreth orës 13:47, policia ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Kur kishte pranuar informacionin policia, ishte kërkuar që të njoftohet edhe Emergjenca në QKMF. Në vendin e ngjarjes njësia patrulluese që kishte marrë informacionin kishte gjetur 48-vjeçaren me inicialet L.Q., të plagosur nga arma e zjarrit.

Rreth orës 14:00, burri ishte dorëzuar në polici dhe kishte lajmëruar se ka vrarë gruan e tij.

Gjithmonë sipas raportit të siguruar nga KALLXO.com, burri menjëherë ishte futur brenda stacionit policor dhe ka dorëzuar një pistoletë të tipit “Zoraki M 906-B” dhe një karikator me tre fishekë.

I njëjti ishte arrestuar ndërsa policia kishte vepruar tutje. Siç thuhet në raport ishte njoftuar edhe ekipi i hetuesve policorë, të cilët kishin arritur në lokacion rreth orës 15:00, kanë kryer vendshikimin dhe janë tërhequr nga ai lokacion.

Gruaja ishte dërguar me plagë në emergjencë e më pas në Spitalin Rajonal ndërsa rreth orës 14:40 pra më shumë se një orë pasi kishte ndodhur ngjarja, e njëjta ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Rasti është iniciuar si vrasje e rendë ndërsa i dyshuari Skender Qerimaj është dërguar në mbajtje për 48 orë.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës edhe se pesë ditë më parë më datë 1 janar, gruaja dhe burri ishin intervistuar nga policia.

Për rastin ishte njoftuar edhe prokurori kujdestar ndërsa me vendim të këtij të fundit burri Skender Qerimaj ishte liruar në procedurë të rregullt.

Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të dyshuarin Skender Qerimi, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: vrasje e rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.