Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Prokuroria: Burri qëlloi gjashtë herë në drejtim të gruas në Llaushë

51-vjeçari Skender Qerimi dyshohet se dje me dashje ka vrarë bashkëshorten e tij L.Q pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.

I dyshuari sipas Prokurorisë ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknes dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.

I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit 5 janar dhe gjendet në ndalim 48 orësh.

Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të dyshuarin Skender Qerimi, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: vrasje e rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

KALLXO.com ka marrë vesh se me datë 1 janar 2022, viktima/gruaja e vrarë ditën e djeshme në Llaushë të Skenderajt, e kishte raportuar rastin në polici, 5 ditë më herët.

Nga burime të KALLXO.com, kuptohet se pas raportimit të rastit në Stacionin Policor në Skenderaj, i dyshuari me vendim të prokurorit ishte liruar në procedurë të rregullt.

Një burrë dyshohet se ka vrarë gruan e tij në fshatin Llaushë të Skenderajt.

48-vjeçarja L.Q gjeti vdekjen nga arma të cilën dyshohet se e shkrepi bashkëshorti i saj Skender Qerimi.

51-vjeçari Skender Qerimi është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa nga policia është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishekë, kurse në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 5 janar rreth orës 13:40.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas vrasjes së 48-vjeçares në Llaushë.

RrGK ka kërkuar dënim maksimal për dorasin.