Foto: Kallxo.com
Dështon për herën e dytë seanca ndaj tetë ish-zyrtarëve të NPB-së
Ka dështuar për herë të dytë seanca në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj tetë ish zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike Banesore të Prishtinës, të akuzuar për korrupsion.
Seanca e së hënës (25.11.2024) dështoi për arsye se mbrojtja e të akuzuarve u ankua se prokuroria nuk ka pajisur me shkresat e lëndës të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.
Prokuroria Speciale, në qershor të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj Hajdar Hoxhajt, ish kryeshef i NPB -së; ndaj ish Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje: Lendita Muderrizi, Bekim Pireva, Arbnora Jashanica; Xhevdet Leci; si dhe ndaj tre ish anëtarëve të Bordit të Aksionarëve: Dren Kukajt, Genc Sherifit dhe Vesel Makollit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.
Mbrojtësit e të akuzuarve u ankuan se prokuroria ka dërguar një email, përmes të cilit vetëm ka njoftuar se shkresat e lëndës janë gati dhe mund të tërhiqen nga palët. Sipas avokatëve Besnik Berisha që është mbrojtës i të akuzuarit Hajdar Hoxhaj dhe avokatit Hamdi Ibrahimi që mbron të akuzuarin Xhevdet Leci, prokuroria është e obliguar që të dërgojë shkresat dhe provat e lëndës tek palët, e jo vetëm t’i sigurojë ato.
Prokurorja e rastit, Ilirjana Çollaku, tha se prokuroria në ditën e ngritjes së aktakuzës ka njoftuar të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, se provat dhe shkresat e lëndës janë siguruar nga ana e prokurorisë.
Çollaku tha se të gjithë të akuzuarit kanë bërë tërheqjen e provave pranë prokurorisë, përveç Hajdar Hoxhajt dhe Genc Sherifit. Për të njëjtit, ajo tha se ka sjellur shkresat në gjykatë për t’i dorëzuar tek këta dy të akuzuar.
Gjyqtari i rastit Kujtim Krasniqi tha se nuk ka dyshim, sipas ligjit, që prokuroria e ka për obligim që të ia japë të gjitha shkresat e lëndës të akuzuarve.
Në fund, gjyqtari Krasniqi vendosi që mbrojtësit e dy të akuzuarve Hoxhaj dhe Sherfii, të bëjnë pranimin e shkresave të dorëzuara nga prokurorja Çollaku, e pas verifikimit të tyre, të njoftojë gjykatën nëse gjithçka është në rregull.
Seanca e parë ishte mbajtur më 08.10.2024 dhe kishte dështuar për shkak të mungesës për arsye shëndetësore avokatit Fatbadh Makolli, që mbron të akuzuarin Vesel Makolli. Seanca e radhës u caktua për datën 03.02.2025.
Aktakuza ndaj ish tetë zyrtarëve të lartë të NPB-së ka të bëjë me projektin për ndërtimin e një kompleksi afaristo-banesor në lagjen Lakrishte të Prishtinës nga ana e NPB-së, përmes marrëveshjes me kompani private, për të cilën KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht në nëntor të vitit 2021.
Ish-anëtarët e Bordit të Drejtorëve, Muderrizi, Pireva, Jashanica dhe Leci dyshohen se me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për personat e tretë e në dëm të pronës publike, sipas Prokurorisë, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që, me datë 21.11.2020 kanë marrë vendim për miratimin e “Rregullores për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të NPB-së përmes Ndërtimit”, duke qenë në dijeni, sipas Prokurorisë, se kjo rregullore nuk ka bazë ligjore.
“Realizimin e këtij projekti e kanë mundësuar po ashtu duke u pajtuar shprehimisht në takimin e datës 22.04.2021, që draft-marrëveshja kryesore për bashkëinvestim, pra kontrata, ta referojnë te Bordi i Aksionerëve për aprovim, në bazë të së cilës kontratë në mënyrë të kundërligjshme kanë mundësuar që prona publike e destinuar për interes publik, të tjetërsohet në pronësi private” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Ndërsa ish kryeshefi Hajdar Hoxhaj, dyshohet se ka lidhur kontratën për të cilën e ka ditur se është e dëmshme për ndërmarrjen, “i ka shkaktuar dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës si aksionare 100% të kësaj ndërmarrje, përmes tjetërsimit të paluajtshmërisë e cila pasuri në bazë të ligjit mund të përdoret vetëm për interes publik”.
“… me 17.05.2021 në cilësinë e kryeshefit ka nënshkruar kontratën/marrëveshjen kryesore për bashkëinvestim me kompanitë private, të cilën e ka noterizuar te Noteri, edhe pse ka qenë në dijeni se kontratë në fjalë ishte e dëmshme për NPB-në, duke qenë se përmes kësaj kontrate mundësohej që prona t’i jepen bashkëinvestorit të përzgjedhur të kompanive private në tërësi në shfrytëzim të përhershëm” – thuhet në aktakuzë.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, e të cilën e ka siguruar Kallxo.com, po ashtu thuhet se Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli në cilësinë e anëtarëve të Bordit të Aksionarëve të NPB-së, “me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për personat e tretë, në dëm të pronës publike, kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që fillimisht me datë 15.01.2021 në kundërshtim me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, kanë ndryshuar Statutin e NPB-së, me qëllim që të njëjtin t’ia përshtatin procesit lidhur me Projektin për ndërtim në lagjen Lakrishte”.
“Në Statutin e ri të NPB-së, ndryshojnë nenin 7 që parasheh fushëveprimtarinë e NPB-së, duke vënë si aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore” – thuhet në aktakuzë.