Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Speciale po vazhdon rrëfimin edhe sot dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë i cili ka filluar dëshminë e tij të hënën, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

I akuzuari Jakup Krasniqi në seancën e së mërkurës është prezent në gjykim përmes video-lidhjes, kurse Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallë të gjykimit.

Dëshmitari W01493 është duke dhënë dëshmi në seancë të mbyllur për publikun.

Edhe gjatë ditës së djeshme, seanca ishte zhvilluar e mbyllur.

Krejt çka dihet për këtë dëshmitar është se i njëjti ka shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit dhe ka informacione mbi strukturën e UÇK-së dhe marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27 shkurt 2023.

Aktakuza fillestare kundër tyre u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është i akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Krimet e pretenduara, sipas Prokurorisë, janë kryer në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë, nga marsi i vitit 1998 deri  në shtator të vitit 1999. Lidhur me këto akuza, ata janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjen e tyre para Gjykatës.

Gjykimi ndaj tyre kishte filluar më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë rast janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Të akuzuarit ishin vendosur në paraburgim në Hagë në nëntor të vitit 2020 dhe vazhdojnë të jenë akoma nën këtë masë.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.