Vlorë, shpëtohen 11 turistë, jeta e të cilëve rrezikohej pasi varka pësoi defekt në det

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare në Vlorë kanë shpëtuar 12 persona, 11 nga të cilët turistë nga vende të ndryshme, pasi mjeti i tyre lundrues kishte pësuar defekt në det.

Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar lëndime.

Fillimisht shtetasi E. L., 30-vjeç, banues në Vlorë, kishte kërkuar ndihmën e Policisë pasi përballë portit të Vlorës, mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt në motor.

Shërbimet e Policisë Kufitare pas njoftimit u nisën menjëherë me një mjet lundrues dhe në bashkëpunim me mjetin lundrues të Rojes Bregdetare, bënë të mundur shpëtimin e 12 personave që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues, 11 prej tyre turistë nga vende si Polonia, Franca, Izraeli e Belgjika.

Pronari i mjetit lundrues u ndëshkua me masë administrative 100 mijë lekë, ndërsa mjeti lundrues i tij u bllokua, pasi nuk ishte i pajisur me certifikatën e operatorit turistik detar.

www.kallxo.com