Gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së - Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë vazhdon dëshminë e tij në seancë të mbyllur

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka vazhduar gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në këtë seancë, e cila u mbyll për publikun ka dëshmuar dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, i koduar si ‘Dëshmitari Ë01493’.

Ky dëshmitar ka shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit dhe se do të japë informacione për strukturën dhe marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

‘Dëshmitari Ë01493’, ka filluar të japë dëshminë e tij të hënën (15 janar).

Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27 shkurt 2023.

Aktakuza fillestare kundër tyre u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është i akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Krimet e pretenduara, sipas Prokurorisë, janë kryer në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë, nga marsi i vitit 1998 deri  në shtator të vitit 1999. Lidhur me këto akuza, ata janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjen e tyre para Gjykatës.

Gjykimi ndaj tyre kishte filluar më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë rast janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Të akuzuarit ishin vendosur në paraburgim në Hagë në nëntor të vitit 2020 dhe vazhdojnë të jenë akoma nën këtë masë.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.