Dëshmitari Halitjaha në Hagë rrëfen detaje nga takimi me Thaçin gjatë luftës

Sadik Halitjaha, ish-zv/komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, po vazhdon dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale.

Halitjaha po vazhdon dëshminë e tij, duke rrëfyer edhe disa detaje nga dy takimet që kishte pasur me Hashim Thaçin gjatë luftës.

Dëshmitari tha se me Thaçin për herë të parë ishin takuar në Budakovë, ndërsa herën e dytë ishin takuar tek Shtabi i Përgjithshëm ku i njëjti kishte shkuar për municione.

”E kom pa te kroni t`u e la fytyrën, sa ishte zgju në mëngjes, më pyeti se për çka jam ardhë këtu”- tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se ia kishte spjeguar arsyen dhe se Thaçi i kishte thënë ”Nëse ke ndonjë betejë sot, po vij edhe unë me ty te poshtë’’ .

Dëshmitari tha se ato ditë ishte pritur një betejë dhe se Hashim Thaçin nuk e takuar më pas asaj dite, i njëjti kishte kërkuar ta takonte por që nuk ishin takuar më.

Tutje, dëshmitari u pyet nga Kehoe edhe per periudhën kur Hashim Thaçi nuk kishte qenë në Kosovë.

”Nuk ka qenë në Kosovë, aq shumë ka lëviz”, ”Nuk e ka kry detyrën si duhet, ai ka kry detyra shumë më të mëdha, është taku me diplomatë të botës, por për neve nuk ka qenë aty” – shtoi dëshmitari Halitjaha.

Gjatë pyetjeve të avokatit mbrojtës të Thaçit, Gregory Kehoe, dëshmitari Halitjaha theksoi se në atë kohë raportet që i pranon nga Shtabi i Përgjithshëm, lidhur me detyrat dhe pozitat që kishin, nuk kishin marrë urdhëra nga Hashim Thaçi.

”Jo nga Hashim Thaçi por mjerisht nuk vinin as nga të tjerët, ne kemi pritë, kemi idealizu një Shtab të përgjithshëm të funksionalizuar dhe në krye të detyrës, realisht ka qenë fiktiv, Hashim Thaçi i ka pasë 2-3 njerëz rreth vetes, nuk ka mund të bëjë as punën e vet si duhet, por realisht urdhëra nuk kanë ardhur nga ai” – tha dëshmitari Halitjaha.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.