Çka thotë Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për Kosovën

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i Organizatës Gazetarët Pa Kufij (RSF), i bërë publik sot me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, për lirinë e medias thotë se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende.

Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të – një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur radhitej në vendin e 61-të.

Sipas këtij publikimi, në Kosovë pavarësia e medias kërcënohet nga rregullimi i dobët dhe varësia nga shpërndarja partiake e fondeve publike.

Në raport thuhet se Kosova ka një treg mediatik pluralist dhe të gjallë.

“Segmenti televiziv, me një shkallë të lartë përqendrimi, dominohet nga kanalet private me bazë në Prishtinë, megjithëse transmetuesi publik RTK luan një rol të rëndësishëm. Portalet e lajmeve në internet përfshijnë media të forta si BIRN ose Kosovo 2.0, kjo e fundit është një nga të paktat media që botojnë në shqip dhe serbisht”- bëhet e ditur në raport.

Organizata Gazetarët Pa Kufij thotë se, edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët mbeten objektiv i sulmeve politike.

“Rregullatori i mediave, KPM, ka qenë joefektiv dhe së fundmi është përfshirë në një rast korrupsioni. Pavarësia e transmetuesit publik RTK është vënë në pikëpyetje për shkak të zgjedhjes si drejtor i përgjithshëm i një aleati të partisë në pushtet. Mediat në gjuhën serbe janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e pakicës kushtetuese”- thuhet në raport.

Sa i përket lirisë së fjalës, mbrojtja e burimeve të gazetarëve dhe e drejta për informim janë të garantuara ligjërisht, ndërsa shpifja është e dekriminalizuar.

“Megjithatë, kohët e fundit, gazetarët janë vënë në shënjestër gjithnjë e më shumë nga SLAPP të iniciuara nga grupet e biznesit dhe politikanët. Përveç kësaj, Ligji për të Drejtën e Autorit nuk zbatohet në praktikë. Qasja në informacionin publik u përmirësua në qershor 2021 kur Agjencia e Informacionit dhe Privatësisë u bë funksionale me Komisionerin e saj të parë”- theksohet në raport.

Në kontekstin ekonomik, RSF thotë se redaksitë e mediave private janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve të grupeve të fuqishme politike ose të biznesit nëpërmjet pronarëve të mediave.

“Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidën shtesë të një tregu të vogël në të cilin disa media varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa media e pavarur nuk do të mbijetonte pa grante ndërkombëtare”- thuhet mes tjerash në raport.

Më tej, në raportin e RSF-së thuhet që edhe pse profesioni i gazetarit gëzon respektin e shoqërisë, mediat e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë shpesh viktima të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale dhe akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”.

Ndërkaq, sa i përket fushës së sigurisë, raporti i organizatës Gazetarët Pa Kufij thotë që përderisa asnjë gazetar nuk është vrarë që nga viti 2005, vrasjet dhe zhdukjet që kanë ndodhur para dhe gjatë luftës në Kosovë (1998-2005) kanë mbetur të pandëshkuara.

RSF përmend edhe sulmet kundër gazetarëve në veri të Kosovës gjatë një periudhe tensioni politik mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, ato rrallëherë çojnë në procedime ligjore. Sulmet kundër gazetarëve në veri të Kosovës u shtuan gjatë një periudhe tensioni politik mes Prishtinës dhe Beogradit në fund të vitit 2021”- thotë RSF-ja.

Në dhjetor të vitit të kaluar Organizata ‘Gazetarët pa Kufij (RSF), e kishin dënuar sulmin ndaj ekipit të KALLXO.com, në Mitrovicë të Veriut.

Përmes një postimi në Twitter, RSF pati kërkuar nga Policia që të kryej një hetim të shpejtë dhe të ofrojë siguri për gazetarët.

“Gazetarja Shkodrane Dakaj dhe producenti Valdet Salihu nga KALLXO.com u sulmuan nga një grup personash të maskuar përderisa po mbulonin ngjarjet për tensionet në Mitrovicën e Veriut. RSF dënon sulmin dhe i kërkon policisë të kryejë një hetim të shpejtë dhe të sigurojë sigurinë e gazetarëve”- shkruan RSF.

Makina me të cilën po udhëtonin ekipi i KALLXO.com, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj ishin sulmuar mëngjesin 9 dhjetorit nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës Teknike në qytetin e Mitrovicës së Veriut.

Ekipi i cili po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut është sulmuar nga grupi i personave të maskuar të cilët po qëndronin në udhëkryqin e kësaj lagjeje.

Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e tjerë të grupit.

Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës.

Sulmohet ekipi i Kallxo.com në Mitrovicën Veriore (Pamje)