Çka thotë Hysen Durmishi për tenderin e Ministrisë së Infrastrukturës që e fitoi kompania e shokut të tij?

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, e ka mohuar se ka pasur ndikim që LOT-in 2 të tenderit për rrugën Prishtinë-Podujevë ta fitojë kompania e shokut të tij.

Në emisionin “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar hulumtimi për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Në një intervistë për KALLXO.com, Durmishi ka thënë se është ‘bo e madhe çështja e kompanisë ‘Bageri'”.

“Po, po unë kam shumë shokë edhe nëpër kompani të tjera. Është bo e madhe kjo çështja e kompanisë ‘Bageri’. Mirëpo kam shumë shokë që i kam më shumë shok se pronarin e kompanisë ‘Bageri’, pronarët e kompanive të tjera. Dhe nuk janë bo kaq shumë problem siç është bo për kompaninë ‘Bageri’. Prandaj nuk do dëshiroja që të humb kohë në emisionin e juaj me folë për kompaninë ‘Bageri’, sepse kam folë shumë shumë herë të tjera” – ka thënë fillimisht Durmishi.

Sipas tij, nuk ka pasur asnjëherë ndikim për këtë kompani e as për ndonjë kompani tjetër, që kanë aplikuar në tender.

“Procedurat i kryen zyra e prokurimit, komisioni i vlerësimit.  Unë nuk mirrna me atë çështje. Asnjë ndikim nuk e kam pasur asnëjherë dhe nuk do ta kem kurrë për asnjë kompani, e as për kompaninë ‘Bageri’. Në plot tendera ka marrë pjesë kompania ‘Bageri’ dhe nuk ka fitu. Mirëpo, që unë kam deklaru publikisht që e njoh pronarin, qysh i njoh shumicën e kompanive në Kosovë. Sepse jam inxhinier, kam punu edhe në kompani private, edhe më ka ra me bashkëpunu me shumë kompani që merren me ndërtim të rrugëve, gjithë jetën time si inxhinier kam punu vetëm me ndërtim të rrugëve. E tash a me iu ndalu gjithë atyre kompanive, me u shu ato kompani dhe mos me punu në ndërtim të rrugëve vetëm pse unë jam bo zëvendësministër? Kjo është e padrejtë. Asnjë konflikt interesi nuk ka” – ka thënë Durmishi.

Tutje, Durmishi ka deklaruar se është i gatshëm që të japë përgjegjësi penale për secilin rast në ministri, e jo vetëm për tenderin në fjalë.

“Jam kujdesur maksimalisht që gjithçka të jetë në bazë të ligjit, që të mos ketë shkelje në asnjë procedurë asnjëherë, kudo që kam konstatuar që nuk është në rregull diçka, kemi marrë masa, kemi dërgu lëndë në prokurori, kemi bashkëpunim të mirë me prokurori në kuptimin e bashkëpunimit e çfarëdo rasti. Jemi të hapur, i ftojmë publikisht le të hetojnë secilin rast. Pothuajse nuk ka tender që hapet në Ministrinë tonë e që nuk trajtohet prej organeve të drejtësisë” – ka thënë ai.

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë nëpër tenderët e institucioneve publike.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro, ndërsa njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e të cilit zëvendësministri Durmishi e ka pranuar se e ka shok. Megjithatë, Durmishi e mohon se ka pasur ndikim që ‘Bageri’ të fitojë këtë LOT të tenderit.

Pas transmetimit të emisionit “Kallxo Përnime” ka reaguar zëvendësministri Hysen Durmishi.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Hulumtimi tendencioz i kallxo.com në lidhje me kontratat e rrugës Prishtinë – Podujevë

Është shumë e qartë tendenca për të manipuluar me të vërtetën. Në këtë hulumtim të tyre nuk prezentohet pjesa më e rëndësishme e intervistës sime. Gazetari në pyetjen e parë më tha se kishin intervistuar zyrtarë të kompanisë Sallahu dhe ata ua kishin prezentuar një dokument që kompania Sallahu kishin autorizim për ta përfaqësuar konsorciumin Salillari – Sallahu. Unë në intervistë ua prezantova dokumentin zyrtar nga dosja e dorëzuar në platformën e eprokurimit ku personi i autorizuar ishte z. Lulzim Salillari dhe e ftova publikisht prokurorinë dhe organet e ndjekjes që ta hetojnë këtë rast sepse nëse ata kanë prezantuar tjetër dokument atëherë ai dokument është i fallsifikuar dhe qëllimi ka qenë që ta vënë në lajthitje opinionin publik. Dosja e dorëzuar në eprokurim nuk mund të ndryshohet nga askush sepse është dosje elektronike dhe nuk mund të ndërhyhet në të. Interesante është që në emisioni nuk e paraqiten as dokumentin që ua prezantova unë por as dokumentin që ua kishte prezantuar kompania Sallahu.

A thua pse?

Sepse e vërteta del lakuriq dhe dështon e gjithë ajo ndërmarrje tendencioze për çështjen në fjalë.

Unë edhe një herë e ftoj prokurorinë që ta hetojnë komplet këtë lëndë dhe çdo lëndë tjetër që lidhet me ministrinë tonë.

(Ky artikull është edituar, duke e përfshirë edhe reagimin e zv.ministrit Hysen Durmishi)