Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Nisin punimet në zgjerimin e rrugës Kijevë – Dollc, jepen zotime se do të kryhen brenda afatit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në inaugurimin e nisjes së punimeve të projektit “Zgjerimi i rrugës nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc”, më 19.04.2024.

Me këtë rast, ai tha se punimet e kësaj rruge do të kenë edhe mbikëqyrës të punëve të kryera.

Ndërsa zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi njoftoi që janë tri llote të punimeve të kësaj rruge.

Ai tha se afati për llotin më të madh është 260 ditë, por u shpreh i bindur se punimet do të realizohen para këtyre afateve.

“E nisëm me Podujevën për të vazhduar me Mitrovicën me ritëm të lartë dhe tani po e fillojmë ndërtimin e rrugës në drejtim të Pejës. Janë tri llote. Afati më i gjatë është 260 ditë për llotin me të madh, por unë jam i bindur që do të realizohen para këtij afati të gjitha llotët”- tha ai.

Kurti dhe Durmishi u pyeten edhe lidhur me ankesat e qytetarëve që për shkak të punimeve do të mbyllen disa biznese.

Durmishi tha se devijimi i rrugës ka filluar shumë më herët.

“Komplet elaborimin e studimit ua kam dhënë përfaqësuesve të bizneseve”- tha ai.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se kjo çështje do të diskutohet dhe se nuk dëshirojnë ta dëmtojnë askënd për shkak të këtyre punimeve.

Po ashtu, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se po i kushtohet rendësi që shpronësimet të kryhen në kohë në mënyrë që të mos krijojnë probleme tjera.

“Në dallim të projekteve të mëhershme ajo që i kemi kushtuar rendësi është që shpronësimet të kryhen në kohë dhe të mos kemi problem me shpronësime, të cilat pastaj na krijojnë pengesa në projekt. Ky projekt është duke u realizuar në mbikëqyrjen e një kompanie. Të gjitha këto na sigurojnë që punimet të kryhen në kohë”- tha Aliu.

Ai ka njoftuar më 25.03.2024 se është nënshkruar kontrata për fillimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë-Dollc.

Kjo kontratë, siç ka bërë të ditur ministri, kap vlerën 21 milionë euro dhe se rruga do të jetë me katër korsi.

“Rruga është me katër korsi, e ndarë në 4 llote, dhe përshkon gjatësi totale prej 12.8 km, rrugë e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e mijëra banorëve dhe do të shërbejë si mundësi për zhvillim ekonomik të vendit. Po e realizojmë edhe një zotim tjetër”- ka shkruar Aliu në Facebook.

Ministri Aliu: Nënshkruhet kontrata 21-milionëshe për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë-Dollc