KEK - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com 26.02.2026

Cilat qytete në Kosovë kanë ajrin më të ndotur?

Prishtina, Drenasi, Obiliqi, Mitrovica, Gjilani dhe Hani i Elezit janë qytetet me ajrin më të ndotur në Republikën e Kosovës.

Kjo sipas raportit vjetor të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për vitin 2025 mbi ndotjen e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndetin e popullatës, i cili paraqet të dhënat mbi situatën globale, rajonale dhe në Kosovë.

Burimet e ndotjes së ajrit në Kosovë thuhet të jenë impiantet për prodhimin e energjisë elektrike (Kosova A dhe B), kompleksi i Ferronikelit në Drenas, ngrohjet individuale të qytetarëve, automjetet e vjetruara dhe kualiteti i ulët i derivateve, hedhja e pakontrolluar e mbeturinave dhe mungesa e hapësirave të gjelbëruara, sidomos në Prishtinë.

Sipas këtij raporti cilësia e ajrit në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësuese.

“Me gjithë përmirësimet, cilësia e ajrit në Kosovë mbetet shqetësuese, sidomos kur krahasohet me udhëzimet e OBSH-së të vitit 2021, edhe pse, prirjet aktuale tregojnë një përafrim me objektivat e BE-së për cilësinë e ajrit deri në vitin 2030”- thuhet në raportin e publikuar nga IKShPK.

Grupet e rrezikuar nga ndotja e ajrit sipas të gjeturave nga raporti janë personat me sëmundje të mushkërive dhe zemrës, të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna, grupet socio-ekonomike me të ardhura të ulëta si dhe komunitetet në zona me ndotje më të lartë.

Raporti thekson se “ndikimet shëndetësore nga ndotja e ajrit mbetet një çështje serioze, që kërkon përpjekje të vazhdueshme, rregullore më të rrepta dhe investime në teknologji më të pastra, të cilat janë thelbësore për të reduktuar më tej këto ndikime”.

Ndotja vlerësohet të jetë më e lartë gjatë sezonës së dimrit. Pikërisht në këtë periudhë raporti thotë se është vërejtur rritja e numrit të vizitave dhe pranimeve spitalore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor në vend.

“Një studim i kryer në Kosovë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbi ekspozimin ndaj PM, dhe pranimet spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare, ku gjetjet e këtij studimi treguan se shkalla e vdekjeve për shkak të ndotjes së ajrit në Prishtinë është 6 persona në 1000 vdekje. Prandaj edhe njëherë u dëshmua se pranimet spitalore janë më të larta gjatë dimrit, gjë që lidhet me koncentrimet e larta të materieve grimcore me madhësi PM10 dhe PM2.5. Andaj për të zvogëluar ndikimin negativ në shëndetin e qytetarëve çështja e aerondotjes kërkon një qasje të integruar që lidh politikat e ngrohjes shtëpiake, transportit dhe industrisë me mbikëqyrje të vazhdueshme për ndotësit kryesor”- thuhet mes tjerasg në raport.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.