Besnik Tahiri: Vendimi i ZRrE-së u mor në bashkëpunim me Qeverinë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme për shtrenjtimin e rrymës ka thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE-së) është diskriminues, politik dhe i ndërtuar mbi një sinkronizim të Qeverisë.

Tahiri tha se ai e ka njoftuar dje Kuvendin që opozita është duke mbledhur nënshkrimet për të debatuar për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Si grup parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kam njoftuar këtë Kuvend që tri partitë opozitare janë duke mbledhur nënshkrimet për të debatuar për një çështje e cila prek të gjithë qytetarët e Kosovës për një vendim të ZRrE-së që është diskriminues, i cili është politik, i cili në plotni është i ndërtuar mbi një sinkronizim të Qeverisë së Kosovës dhe ZRrE-së”, ka thënë Tahiri.

Ai tha se mungesa e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancë të jashtëzakonshme tregon papërgjegjësi.

“Kjo tregon për papërgjegjësinë, kjo tregon për ikjen nga debati, kjo tregon se si i qasen dhe si ka qenë e sinkronizuar nga Zyra e Rregullatorit”, ka thënë Tahiri.

Shefi grupit parlamentar të AAK-së tha se Kuvendi përmes një rezolute duhet të japë udhëzim për revokimin për vendimin politik të ZRrE-së

“Kjo është çështje e rëndësishme dhe ky Kuvend përmes një rezolute duhet të japë udhëzim të qartë për revokimin për vendimin politik të ZRrE-së. ZRRE që tashmë është kthyer në një instrument të Qeverisë është duke reflektuar saktë dhe drejtë direktivat e Qeverisë”, ka thënë ai.

Kuvendi me kërkesë të tri partive opozitare po mbanë sot seancë të jashtëzakonshme debat parlamentar për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e rrymës.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.