Banorët e disa fshatrave të Ferizajt pa ujë të pijshëm, fabrika e ujit ende jashtë funksionit

Ndërtimi i fabrikës së ujit në fshatin Talinoc të Muhaxherëve kishte filluar më 1 korrik të vitit 2020, nga e cila pritet të furnizohen me ujë një pjesë e qytetit të Ferizajt dhe fshatrat Talinoc i Muhaxherëve, Bibaj, Sojevë, Dardani dhe Zllatar.

Megjithkëtë, funksionalizimi i kësaj fabrike ishte paralajmëruar pas dy viteve kur nisi të ndërtohet, por kjo nuk ndodhi. As tani nuk ka një datë të caktuar për hyrjen në funksion të fabrikës.

Njazi Behluli, përfaqësuesi i fshatit Talinoc të Muhaxherëve ka thënë se fshati me 600 shtëpi dhe mbi 3 mijë banorë furnizohet vetëm me një pus prej vitit 2004-2005. Ai ka treguar se uji nuk është i pijshëm.

Behluli tregon se ata gjejnë forma dhe vende të ndryshme për të siguruar ujin.

“Ujin e pijes, shumica e fshatrave e blejnë, e të tjerët shkojnë në qytet te palestra e sportit, për t’u furnizuar me ujë dhe nëpër burime malore si në Jezerc, Prevallë, Llanishtë dhe Lubishtë”-ka thënë ai.

Përfaqësuesi i fshatit ka thënë se ata po presin kyçjen në lidhjen e fabrikës së ujit.

“Zvarritja e fabrikës se ujit na shkakton shumë probleme. Fabrika është ndërtuar në pronën publike të komunitetit të fshatit tonë ku ende nuk jemi te kyçur në fabrikë. E, sipas Drejtorisë Komunale të Infrastrukturës pritet që në fund të vitit 2024 të kyçemi në lidhjen e fabrikës se ujit”-ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini ka thënë se projekti me fabrikën është i përfunduar që një vit dhe ai thotë se nga ajo periudhë Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” e ka dërguar stafin e tyre në fabrikë për trajnim dhe fillim te punës.

“Është punuar për lëshimin e fabrikës ne funksion, gjatë kësaj pune është hasur se sistemi klorimit nuk është duke punuar në mënyrë automatike por vetëm në mënyrë manuale (apo përmes lëshimit me klikim në kompjuterët e sistemit)”-thuhet në përgjigjen e tij me shkrim.

Për këtë çështje ai ka thënë se janë marrë masat e nevojshme.

“Për këtë arsye kompania punë kryese ka marrë masat duke e punuar këtë me grupe te jashtme pasi që për koordinimin e skadave nuk ka grupe të profesionalizuara në vend, andaj edhe kjo ka marrë pak kohë, por që në mënyrë manuale fabrika gjithmonë ka mundur me qenë aktive”-shtoi Drejtori i Infrastrukturës.

Sa i përket fshatrave në këtë zonë ai thotë se janë duke i trajtuar me radhë, pavarësisht kushtëzimit nga buxheti.

“Deri më tani kemi përfunduar rrjetin kryesor dhe atë sekondar në fshatin Sojevë, rrjetin kryesor në fshatrat Dardani dhe Zllatar, jemi duke punuar tashmë në rrjetin sekondar në fshatin Zllatar, ndërsa fshati Talinoc i Muhaxherëve ka rrjetin ekzistues, nevojitet vetëm rritja e kapacitetit të furnizimit me ujë të pijes, e për këtë e kemi të planifikuar në vitin e ardhshëm kyçjen e rrjetit në fabrikën e ujit”-shtoi drejtori Hajdini.

Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni”, kanë thënë se punët në fabrikën e ujit akoma nuk kanë përfunduar.

Theksuan pjesën e disa pajisjeve të cilat janë jo funksionale dhe për to treguan se është përgatitur një raport.

“Funksionaliteti i saj nuk është në rregull, për të gjitha pajisjet që nuk janë funksionale ne kemi bërë raport dhe ju kemi drejtuar Komunës së Ferizajt dhe operatorit ekonomik që e ka kryer punën. Disa janë rregulluar e disa jo dhe për këto jemi në pritje”-kanë thënë nga kjo kompani.

Tutje ata thanë se kanë dërguar punonjësit për të bërë përvojë dhe për t’i mirëmbajtur pajisjet.

“Duhet të dini se ne si KRU-B që nga muaji maj 2022 kemi dërguar punëtorët tani që të fitojnë përvojën e duhur dhe të bëjnë mirëmbajtjen e pajisjeve dhe të fillohet me prodhimin dhe përpunimin e ujit mirëpo ende nuk është funksionalizuar”-kanë thënë nga KRU “Bifurkacioni”.

Nga kjo kompani thanë se nuk dihet kur pritet të funksionalizohet fabrika.

“Nuk e dimë se kur pritet të funksionalizohet, për këtë përgjigje mendojmë se Komuna e Ferizajt mund të jep përgjigje – edhe pse që nga dita e mërkurë (26.07.2023) ka ardhur një përfaqësues nga kompania ndërtuese duke u munduar të bëjë rregullimin e paisjeve”- shtuan ata.

Ai ka përmendur disa probleme të cilat kanë pamundësuar funksionalizimin e fabrikës.

“Edhe pse është dorëzuar nga Operatori Ekonomik- STRABAG tek Komuna Ferizaj si projekt i përfunduar, por nga punëtorët tanë janë identifikuar shumë mangësi duke filluar nga mos komunikimi i SCADA sistemit me pajisjet, sistemi i dezinfektimit, disa valvula, dhe si rezultat ne nuk e kemi marrë në menaxhim deri sa të rregullohen të gjitha ato çka i kemi identifikuar, për të cilat jemi duke pritur edhe sot”-theksuan nga Kompania e Ujësjellësit.

Në anën tjetër, kompania e kontraktuar austriake “STRABAG” ka thënë për KALLXO.com, se i kanë kryer punët e tyre sipas kontratës.

“Mund të konfirmojmë vetëm se ne kemi kryer shërbimet tona në përputhje me kontratën dhe kemi dorëzuar me sukses fabrikën funksionale tek klienti, Komuna e Ferizajt, në vitin 2022. Sa i përket pyetjeve tuaja lidhur me funksionimin e saj,ju lutemi që të kontaktoni klientin drejtpërdrejt. Ne nuk kemi asnjë informacion në lidhje me këtë”-thuhet në përgjigjen e tyre.

Kritikat e opozitës

Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, Adnan Selmani, ka thënë se ata kanë pasur takim me kryeshefin e KRU “Bifurkacionit”, dhe janë informuar se nuk ka pranime teknike shkaku se nuk kanë përfunduar të gjitha punimet.

Sipas tij, ata e kanë ngritur këtë çështje në Kuvendin Komunal por që nuk kanë marr një përgjigje.

“Kemi reaguar edhe në Kuvend Komunal dhe i kemi kërkuar raportim kryetarit z.Aliu, por ai nuk është përgjigjur fare për këtë çështje”-ka thënë asamblisti i VV-së në një përgjigje me shkrim.

Ai thekson mos mbajtjen e premtimit për këtë fabrikë.

“Ju ka premtuar 6 fshatrave furnizim me ujë nga kjo fabrikë, dhe ne e dimë se kjo nuk është e mundur të bëhet. Dhe më e rëndësishme është se premtimi i kryetarit për këtë fabrikë ishte në mandatin e kaluar që kjo do të përfundoj, por ja që është bë mandati i 2-të dhe akoma nuk është funksionalizuar”-ka shtuar ai.

Ndërsa asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Arian Imeri, për fabrikën e ujit ka thënë se kanë përfunduar investimet e për vonesat e funksionalizimit theksoi problemet ligjore.

“Vonesat e funksionalizimit të kësaj fabrike janë problemet ligjore rreth bartjes së këtij aseti nga Komuna e Ferizajt drejt Kompanisë Regjionale të Ujit “Bifurkacioni”. Pra, “Bifurkacioni” si Kompani nuk është dakorduar që ta marr në menaxhim, të filloj funksionalizimin e saj, të filloj furnizimin me ujë dhe inkasimin e shërbimit të ofruar ndaj qytetarëve të kësaj zone”-tha Imeri.

Ai ka thënë se kjo çështje është ngritur disa herë në Kuvendin Komunal nga asamblistët që vijnë nga kjo zonë.

Komuna e Ferizajt ka ndarë mbi 5.1 milionë euro për ndërtimin e kësaj fabrike.