Pamje nga nisja e ndërtimit të fabrikës së ujit në Ferizaj, 2022

Dy vjet pas nisjes së ndërtimit, paralajmërohet funksionalizimi i fabrikës së ujit në Ferizaj

Dy vjet pasi ka nisur të ndërtohet, fabrika e ujit në Talinoc të Muhaxherëve, në Ferizaj po paralajmërohet se do të funksionalizohet brenda dy muajsh.

Fabrika ka filluar të ndërtohet më 1 korrik të vitit 2020, prej të cilës pritet të funrizohen me ujë disa fshatra të kësaj komune.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Albion Sherifi, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

E në mungesë të ujit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” thotë se detyrohen që të bëjnë reduktime të ujit gjatë natës nga ora 23:00 deri 05:00 mëngjesit.

Kurse, Sherifi tregon edhe arsyet e zgjatjes së afatit të ndërtimit të këtij projekti me vlerë mbi 5.1 milionësh.

“Në zgjatjen e afatit të ndërtimit ka ndikuar pandemia e shkaktuar nga COVID-19, po ashtu pengesat në transportimin e mallrave nga vendet e jashtme, nga ku janë transportuar shumë pjesë për ndërtimin e fabrikës” – tha ai.

Nga kjo fabrikë e ujit pritet të furnizohen një pjesë e qytetit të Ferizajt dhe fshatrat Talinoc i Muhaxherëve, Bibaj, Sojevë, Dardani dhe Zllatar.

Sipas Sherifit në këto zona që do të furnizohen nga kjo fabrikë nuk do të ketë më reduktime, pasi që kjo pjesë mbulohet mjaftueshëm.

Ai shtoi se gypi kryesor nga rezervuari te fabrika dhe gypi kryesor që bën lidhjen e një pjese të qytetit janë përfunduar, ndërsa nuk është përfunduar vetëm një pjesë e gypit kryesor që bën lidhjen e fshatit Sojevë.

Në fillimin e ndërtimit të kësaj fabrike, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu kishte thënë se kjo fabrikë do të sigurojë rreth 80 litra për sekond dhe do të stabilizojë gjendjen e furnizimit në një pjesë të Ferizajt.

Nga KRU “Bifurkacioni” thanë se zgjidhja afatgjate për furnizimin e Ferizajt me ujë është projekti i Ibër – Lepencit, konkretisht i Lepencit, projekt ky i paraparë të përfundohet në vitin 2031.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për mungesën e ujit për banorët e Ferizajt.