Ilustrim

Avokati i Thaçit: Trupi gjykues të sqarojë që kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me trafikim organesh

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka bërë kërkesë nga trupi gjykues që të sqarojë që akuza në këtë çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me trafikim organesh.

“Janë botuar disa artikuj rusë të cilat janë pasqyruar edhe në mediat evropiane që të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore janë marrë me trafikim të organeve”, tha  Kehoe teksa theksoi se kjo nuk qëndron dhe është false.

Sipas tij, përderisa hetimi për trafikim ka përfunduar, është e rëndësishme që të potencohet nga trupi gjykues se aktakuza nuk ka ndërlidhje me trafikim të organeve.

“Nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë në këtë trup gjykues me pretendimet së të akuzuarit janë përfshirë në këtë aktakuzë në trafikim të organeve.”.

Tutje, Kehoe diskutoi çështjen lidhur me ndikimin në dëshmitarë, duke theksuar se në disa artikuj është thënë se Qeveria e Kosovës ka kontaktuar një person shqiptar në Gjermani, sipas të cilit është kërkuar që t’i gjejë katër dëshmitarë katolikë për dëshmi kundër Hashim Thaçit.

“Është e kuptueshme që Zyra e Prokurorit të Specializuar të përdorë edhe ndërmjetës, por kjo është ndërhyrje në procesin e drejtësisë”, duke shtuar se do t’i adresojë me shkrim ashtu që trupi gjykues të japë udhëzimet e nevojshme.

Një raport i vitit 2010 nga raportuesi i asaj kohe për të drejtat e njeriut pranë Këshillit të Evropës, Dick Marty, hodhi dyshime se disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë kryeministrin e tanishëm, Hashim Thaçi, kanë marrë dhe shitur organet e të burgosurve gjatë konfliktit të vitit 1999 me forcat serbe.

Në anën tjetër, shqyrtimi gjyqësor po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të, i identifikuar me kodin 03879, dëshmia e të cilit pritet të dëgjohet për 4 ose 5 ditë.

Prokurori Matt Halling nga Zyra e Prokurorit të Specializuar po vazhdon me pyetjet ndaj dëshmitarit, i cili për qëllime identiteti të dëshmitarit ka kërkuar që për një pjesë të pyetjeve seanca të kalohet në sesion privat.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.