ATK- Aksion

ATK kontrolle për punëtorë pa kontrata

Aksione të shumta janë duke u ndërmarrë nga Administrata Tatimore e Kosovës për verifikimin e kontratave të punës për punonjësit e sektorit privat.

Aksione të tilla u ndërmorën në Ferizaj dhe Prishtinë dje gjatë ditës. Cak i tyre ishte verifikimi i kontratave të punëtorëve në këto biznese.

Kontrollet u ndërmorën pas raportimeve të qytetarëve në KALLXO.com, se në këto biznese janë disa punëtorë pa kontrata të punës.

Pas pranimit të këtyre informacioneve inspektorët e ATK-së, mësynë kontrollin.

Së pari kontrollit për punëtorë të pa deklaruar iu nënshtrua një ndërmarrje në komunën e Ferizajt.

Gjatë kontrollit inspektorët morën informatat për punëtorët që ishin të pranishëm për t`i verifikuar më pas me deklarimet e biznesit në ATK.

Ndryshe nga biznesi në Ferizaj, në Prishtinë inspektorët e ATK-së, konstatuan parregullsi tek një biznes i cili ju kishte nënshtruar kontrollit për punëtorë pa kontrata.

Qytetarët kishin raportuar në KALLXO.com, se ky biznes kishte punëtorë të angazhuar pa kontrata pune dhe nuk ishte i pajisur me arkë fiskale.

Informacioni për arkë fiskale doli të jetë i saktë, biznesi nuk ishte i pajisur fare me arkë fiskale.

Pas kësaj parregullsie inspektorët vazhduan me kontrolle për verifikimin e punëtorëve.

Punëtorëve iu morën të dhënat të cilat më pas pritet të krahasohen me deklarimet e biznesit në ATK.

Aksione të tilla të ATK-së, së fundi u ndërmorën edhe në Pejë dhe Gjilan, Podujevë e Prizren.

ATK është duke verifikuar kontratat e punës së punëtorëve në biznese të shumta në të gjithë Kosovën që nga koha kur Qeveria miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet t`u dalë në ndihmë punëtorëve në sektorin privat.

Verifikimi i kontratave të punës nga Administrata Tatimore është bërë edhe jashtë orarit të rregullt të punës.

Në bazë të informacioneve të raportuara në KALLXO.com, deri më tani janë konstatuar 28 punëtorë pa kontrata pune në biznese të ndryshme.

Pesëmbëdhjetë punëtor pa kontrata janë konstatuar në një Lulishte të Prishtinës, nëntë janë konstatuar në biznesin e sigurimeve fizike ndërsa nga dy punëtorë pa kontrata u konstatuan në një auto parking në Prishtinë dhe në biznesin e taksive.

Kontrollet për verifikimin e kontratave të punës së punëtoreve kanë filluar nga koha kur Qeveria e Kosovës e miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet t’u dalë në ndihmë edhe mijëra punëtorëve në sektorin privat.

Nga fillimi i vitit 2020 e deri në muajin prill, Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar mbi 90 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mosdeklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.