Ilustrim

Pas raportimit në KALLXO.com, ATK konstaton se një biznes ka nëntë punëtorë pa kontrata

 

Pak ditë pasi me propozim të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, Administrata Tatimore e Kosovës filloj kontrollet për punëtorë të padeklaruar, në një biznes u konstatuan nëntë punëtorë pa kontrata pune.

Tre ditë më parë me vendim të zëvendës drejtorit të përgjithshëm të operacioneve Nijazi Asllani, ATK në Prishtinë u autorizua të fillojë kontrolle për verifikimin e kontratave të punëtoreve nëpër bizneset të cilat janë duke e ushtruar aktivitetin gjatë gjendjes emergjente të pandemisë.

Një informacion i bartur nga KALLXO.com, se një kompani e sigurimeve në Prishtinë ka një numër të madh të punëtorëve të padeklaruar ka bërë që një ekipë e inspektoreve të vishet punës dhe të verifikojë informacionet e raportuara në KALLXO.com.

Gjatë kontrollit në biznesin e sigurimeve fizike nuk u hasën punëtorë, gjë që e vështirësoi verifikimin e saktë të raportimit.

Mirëpo me kërkesë të inspektorëve, biznesit iu kërkua që të bëjë deklarimin e saktë të punëtorëve dhe disa orë më vonë, përfaqësuesi i biznesit deklaroi se ka nëntë punëtorë të padeklaruar.

Mos pajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mos deklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

Përpos këtij rasti dy ditë më parë me urdhër të drejtorit rajonal, Xhemajl Hertica u caktua një ekipë e inspektorëve që të fillojë me kontrollet në rrugët e Prishtinës.

Gjatë ditës ishin kontrolluar 3 biznese të ndryshme, dy prej të cilave i kishin të gjithë punëtorët e deklaruar.

Pas përfundimit të kontrollit në njërin nga bizneset e kontrolluara numri i punëtorëve të deklaruar ishte i dyshimtë dhe në lidhje me dyshimet biznesi është urdhëruar që të dërgoj listën e plotë të punëtorëve me anë të emailit.

ATK  fillon kontrollet për punëtorë pa kontrata pas miratimit të pakos emergjente fiskale

Raportimet për punëtorë të padeklaruar vijnë në kohën kur Kosova është në prag të zbatimit të pakos emergjente fiskale të Miratuar nga Qeveria e Kosovës.

 

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.