Foto: KALLXO.com

“Fatura fiktive me vlerë 18 milionë euro", detaje nga dosja e Prokurorisë për rastin e zyrtarëve të arrestuar të ATK-së

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar sot kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për 12 zyrtarët e ATK-së, të cilët dyshohen për mashtrim në detyrë.

Atyre iu shqiptua masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Sipas kësaj mase, atyre u ndalohet qasja dhe afrimi në objektin e institucionit qendror të ATK-së, duke përfshirë edhe të gjitha regjionet e saj, në largësi prej 500 metrash.

Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama e Xhemajl Hertica janë zyrtarët e ATK-së të dyshuar për mashtrim në detyrë që u arrestuan në një aksion të Policisë dhe Prokurorisë.

Cilat janë dyshimet e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, dyshohet se këta zyrtarë kishin qenë në cilësi të ndryshme duke filluar nga inspektorë tatimorë, drejtorë rajonalë të ATK-së e udhëheqës ekipesh të kontrolleve e rikontrolleve.

Në këtë dosje dalin në pah detaje mbi dyshimet e Prokurorisë për këta zyrtarë dhe për pronarin e biznesit, Feim Pulaj.

Prokuroria dyshon se Feim Pulaj duke qenë pronar i bizneseve “Lakeside AG” dhe “BluePlan Kosovo AG” ka përdorur fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë eurove.

Sipas dosjes, koha që i ishte dashur ta arrinte këtë shumë është vetëm 2 muaj të vitit 2020.

Me këto fatura fiktive, ai dyshohet se fillimisht kishte bërë blerje për biznesin e tij “BluePlan Kosovo AG” e pastaj me të njëjtat kishte bërë shitje te biznesi tjetër “Lakeside AG”, duke krijuar kështu një qarkullim fiktiv bankar, i cili njihet edhe si skemë e mashtrimit financiar.

Këto fatura, sipas Prokuorisë, ishin përdorur kinse për ndërtimin e hotelit “Lakeside AG” në vitin 2020, kur në fakt ky hotel kishte qenë i ndërtuar në pjesën e parë të vitit 2019.

Qëllimi i tij dyshohet të ketë qenë përfitimi i rimbursimit nga ana e ATK-së.

Pikërisht lidhur me këtë, faturat në fjalë, zyrtarët e ATK-së dyshohet se në njërin nga bizneset në fjalë nuk ia kishin pranuar duke i cilësuar si fiktive, kurse të njëjtat fatura iu dukën legjitime kur kryen kontrolla në biznesin tjetër, thuhet në dosje.

Zyrtarët dyshohet se kanë qenë të informuar që këto fatura kishin qenë fiktive.

Me legjitimimin e këtyre faturave Prokuroria po dyshon se Pulajt i është mundësuar rimbursimi.

Tutje, dosja shpalos në bazë të këtyre faturave buxhetit i shtetit do të dëmtohej për afër 3 milionë euro.

Mbi të rëndojnë dyshimet për shmangie nga tatimi dhe dokumentete e rrejshme lidhur me tatimin, kurse mbi zyrtarët e ATK-së për mashtrim në detyrë.

Zyrtarëve, në vendimin e marrë nga Gjykata, me të cilin u ndalohet afrimi te objekti qendror i ATK-së dhe të regjioneve të saj, iu ndalua edhe kontakti me të dyshuarin Feim Pulaj dhe bizneset e tij dhe afrimi deri në 500 metra.

Nëse ata nuk i zbatojnë këto obligime, ndaj tyre caktohet masa e paraburgimit.

Vendimi është marrë nga gjykatësi i procedurës paraprake, Avni Syla.

Përveç zyrtarëve të ATK-së dhe pronarit të biznesit nga Prizreni të dyshuar janë edhe dy pronarë të një biznesi në Podujevë, të cilët janë duke u kërkuar nga organet e ndjekjes.