Pas raportimit të KALLXO.com, Komuna e largon deponinë ilegale në fshatin Vinarc

Mbeturinat kishin mbuluar sipërfaqet buzë rrugëve në disa fshatra të Mitrovicës së Jugut.

Në fshatin Vinarc, copëzat e trotuareve, blloqet e mbeturinat e panumërta ishin vetëm disa nga mbetjet inerte që shiheshin në këtë zonë.

KALLXO.com ishte prezent më datën 6 dhjetor në vendin e ngjarjes për ta parë nga afër gjendjen e këtij fshati.

Pamje të xhiruara me datë 6 dhjetor:

Ndërsa dje drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Mitrovicës, Egzon Sadiku përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është larguar një deponi ilegale në po të njëjtin fshat.

Postimi i drejtorit:

KALLXO.com ishte sot në fshatin Vinarc, në vendin ku ka qenë i stërmbushur me mbeturina dhe hasi se të njëjtat kishin filluar të largoheshin.

 

Hedhja e mbetjeve interte dhe mbeturinave ‘fenomen’ edhe në fshatin Zhabar të Epërm

Problemi me hedhjen e mbetjeve inerte nga materialet ndërtimore dhe numri i madh i mbeturinave hasej edhe në fshatin Zhabar të Epërm, në vendin ku kalohet lumi Ibër.

KALLXO.com ishte aty më datë 7 dhjetor për ta parë nga afër gjendjen.

Pamje të xhiruara më datë 7 dhjetor:

Valent Ibishi banor i Mitrovicës pretendonte se kompanitë ‘Sabit Balinci’ dhe ‘Bageri Company’ po hedhnin mbetje në këtë zonë. Nga kompania ‘Sabit Balinci’ kanë mohuar një gjë të tillë. Ndërsa komunarët patën thënë se ky rast është ende në trajtim.

“Kjo kompani që është në foto (Sabit Balinci) i kanë rrënu katër shtëpi, e kanë pru e kanë zbraz këtu e më pas me bager e kanë rrafshu. Ndërsa mbetjet e punimeve në qytet siç shihet në foto mbrojtëset e trotuareve dhe asfalti po shihet i premë po mendoj që “Kompania Bageri” është kompania që i ka hedh atje sepse e njëjta është duke punu në qendër të qytetit”- pati thënë Ibishi.

Këtë e pati kundërshtuar Elvendin Pllana, djali i pronarit të kompanisë ‘Sabit Balinci’.

“Jo kompania jonë nuk i ka hedh ato mbeturina. Dikush ia ka dëmtu pronën të cilën e ka pas deri te Ibri. Edhe më pas ka gjuajt dikush bërllok aty. Edhe neve na ka kontaktu si kompani që me shku me ia rrafshu vendin. Bërlloku u kanë aty. Është një person privat, prona është e tij. Ka lyp me ja çu edhe do dhe me ja qit pronën qysh e ka pasë. Do betona që janë kanë poshtë na kena me rrafshu dhe me pru pronën qysh u kanë”- ka thënë Pllana.

KALLXO.com pati provuar të marrë përgjigje edhe nga Kompania ‘Bageri’, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Ndërsa Valon Brahimi, drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës ka thënë se zona për të cilën bëhet fjalë është kompetencë e inspektorëve të ambientit dhe se rasti është ende në fazën e trajtimit.

“Si drejtori kemi pranuar ankesa nga personi i apostrofuar Valent Ibishi. Me rastin jemi duke u merr seriozisht dhe në suaza të kompetencave që na lejon ligji si drejtori inspektorët tanë do ta kryejnë punën e tyre. Ndërkohë në mënyrë  ju lutem udhëzojeni palën ankuese që përmes juve ose personalisht vetë të na ofroj dëshmi konkrete që dëshmojnë që kompanitë e sipërcekura janë pjesë e këtij dëmi të shkaktuar të pretenduar meqë rasti është akoma në proces të trajtimit”- ka thënë Brahimi.

Mbeturinat mbulojnë sipërfaqet buzë rrugëve në disa fshatra të Mitrovicës