Pas raportimit në KALLXO.com, ATK gjen parregullsi në biznesin e taksive

Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë konstatuar parregullsi në një nga bizneset e taksive në regjionin e Prishtinës.

Pas kontrollit tatimor të zhvilluar gjatë javës së kaluar. ATK ka konstatuar se dy nga punëtorët e kësaj kompanie nuk ishin të pajisur me kontrata pune.

Për këto parregullsi biznesi i taksive është dërguar në zyrën e ndëshkimeve të ATK-së, të njohur si “ZGJONA”.

Ky kontrolli erdhi pasi disa qytetarë kishin raportuar në KALLXO.com, se ky biznes kishte angazhuar punëtorë pa kontrata pune dhe si rrjedhojë nuk po ua paguante kontributet pensionale dhe po i shmangte detyrimettatimore.

Informacioni i paraqitur në KALLXO.com, ishte trajtuar me prioritet nga Administrata Tatimore e Kosovës.

ATK në vazhdimësi është duke kryer kontrolle për punëtorë të padeklaruar nëpër bizneset e Kosovës.

Këto kontrolle kanë filluar nga koha kur Qeveria e Kosovës e miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet t’ dalë në ndihmë edhe mijëra punëtorëve në sektorin privat.

Javën e kaluar kontrollit për punëtorë të pajisur me kontrata pune iu nënshtruan një Autoparking i madh në Prishtinë dhe një kompani e sigurimeve.

Në këto dy biznese ATK konstatoi 11 punëtorë pa kontrata pune, nëntë prej të cilëve ishin të angazhuar në një kompani të sigurimeve fizike.

Nga fillimi i vitit 2020 e deri në muajin prill, Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar mbi 90 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mosdeklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.