Mbi 93 mijë euro gjoba për bizneset pas raportimeve të qytetarëve në KALLXO.com

93,375 euro është shuma totale e gjobave të cilat i ka shqiptuar Administrata Tatimore e Kosovës  pas raportimeve të qytetarëve në platformën KALLXO.com.

Këto gjoba janë shqiptuar në bazë të raportimeve të qytetarëve në KALLXO.com dhe aksioneve të ndërmarra nga ATK  gjatë  muajve janar-mars 2020.

Gjatë këtyre tre muajve, ATK ka shqiptuar 71 gjoba, shuma totale e të cilave është 93,375 euro.

Mbi 48 mijë euro gjoba janë shqiptuar vetëm ndaj kompanive të autobusëve gjatë muajit shkurt 2020.

Në kontrollit të Autobusëve me urdhër të zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Operacioneve, Nijazi Asllani  janë përfshirë 41 biznese dhe pothuajse në secilën prej tyre ATK ka konstatuar parregullsi.

Gjatë kontrolleve ishin konstatuar qindra udhëtarë të pa pajisur me kupon fiskal.

Gjobat tjera janë pjesë e raportimeve të qytetarëve për mos lëshimin e kuponëve fiskal në kafenetë e Podujevës.

Parregullsi në këtë tremujor ishin konstatuar edhe në ordinancën private të stomatologjisë, në një piceri në komunën e Vushtrrisë, si dhe në disa markete private në të cilat nuk lëshoheshin kuponë fiskal.

Që nga fillimi i projektit të përkrahura nga Ambasada Britanike në Kosovë  për rritjen e mbikëqyrjes të shoqërisë civile në Administratën Tatimore e deri më sot, ATK ka shqiptuar rreth 200 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com.

Inkurajojmë qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë në ATK dhe KALLXO.com, për çdo parregullsi tatimore në të cilën e hasin.