ATK vazhdon kontrollet për punëtorë të padeklaruar

Administrata Tatimore e Kosovës është duke vazhduar me kontrollet për verifikimin e kontratave të punës nëpër biznese të ndryshme në komunën e Prishtinës.

Cak i këtyre kontrolleve ishin dy biznese për të cilat qytetarët kishin raportuar në KALLXO.com, se nuk po i pajisin me kontrata pune punëtoret e tyre.

Për verifikimin e informacioneve janë angazhuar dy drejtori të ATK-së.

Biznesi i parë i cili iu nënshtrua kontrollit tatimor ishte një auto-parking i madh në Prishtinë.

Në lidhje me të, qytetarët kishin raportuar se ka mbi 10 të punësuar pa kontrata pune.

Pas përfundimit të kontrollit te ky biznes, inspektoret konstatuan gjendjen faktike dhe i kërkuan përfaqësuesit të parkingut që të sjellë dokumente shtesë në mënyrë që të verifikohet numri i saktë i punëtoreve të pajisur me kontrata pune.

Pas këtij kontrolli u vizitua edhe një biznes në afërsi të Mensës së Studentëve. Edhe aty u kërkuan informacione shtesë për punëtoret e deklaruar.

Dje gjatë ditës, pas kontrolleve për punëtorë të padeklaruar, ATK konstatoi se një biznes ka nëntë punëtorë të pa deklaruar.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mos deklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

Në fillim të kësaj jave me propozim të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe me vendim të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të operacioneve, Nijazi Asllani, ATK në Prishtinë u autorizua të fillojë kontrolle për verifikimin e kontratave të punëtorëve nëpër bizneset të cilat janë duke e ushtruar aktivitetin gjatë gjendjes emergjente të pandemisë.

Raportimet për punëtorë të padeklaruar vijnë në kohën kur Kosova është në prag të zbatimit të pakos emergjente fiskale të miratuar nga Qeveria e Kosovës.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.