Ndërtim pa leje në Prizren, Komuna vendos ta rrënojë pas raportimit të KALLXO.com

Komuna e Prizrenit, saktësisht Drejtoria e Inspektorateve – sektori i ndërtimit, ka urdhëruar rrënimin e objektit-punimeve pa leje në një banesë në lagjen Ortakoll.

Në fotografitë e dërguara në adresë të KALLXO.com, vërehet se në një banesë në Prizren, pala-banuesja ka qenë duke zhvilluar punime pa leje nga organet kompetente.

Lidhur me këtë në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Prizrenit, ka bërë të ditur se Inspektorati i ndërtimit ka bërë kontrollin e vendit të ngjarjes më datë 16 korrik 2023, me ç’rast ka konstatuar se pala N.N.., ka qenë duke zhvilluar punime pa leje nga organet kompetente, duke hequr tjegullat e kulmit të objektit, dhe është urdhëruar pala që ta kthejë në gjendjen e mëparshme.

Për këtë është lëshuar aktvendimi me nr. 17-354-112 më datën 17 korrik 2023, me të cilin urdhërohet po ashtu pala që ta kthejë në gjendjen e mëparshme kulmin e kësaj ndërtese.

Tutje thuhet se pasi që inspektori me rastin e vizitës në terren më datën 28 korrik 2023, ka vërejtur se ka ndryshim të gjendjes, ka hartuar procesverbalin tjetër, ka bërë foto me të cilën dëshmohet gjendja, si dhe janë vendosur shiritat e inspektoratit në derën hyrëse të banesës së palës, mirëpo palën nuk e ka hasur për shkak se dera ka qenë e mbyllur. Komuna ka hartuar procesverbalin tjetër më datën e njëjtë, me të cilin konstatohet se pala ka vazhduar me punimet.

Ndërkaq, mëe datë 31 korrik 2023, ka lëshuar aktvendim me të cilin urdhërohet pala që ta bëjë rrënimin e objektit-punimeve pa leje, si dhe ta kthejë në gjendjen e mëparshme kulmin e objektit.