Mbeturinat në fshatin “Zhabar i Epërm” në Mitrovicë, 05.02.2024- Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

'Zonat e gjelbra' në Mitrovicë të mbuluara me bërllok - FOTO

Dalja e qytetarëve të Mitrovicës për ta shijuar natyrën afër brigjeve të lumit Ibër u pamundësohet nga mbeturinat e panumërta të cilat e kanë vërshuar këtë zonë. Bëhet fjalë për Zhabarin e Epërm, hapësirat ku qytetarët do të mund të bënin piknik, janë të mbushura me mbetje inerte nga materialet ndërtimore.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më 15 dhjetor të vitit të kaluar për këtë dukuri, mirëpo gjendja vazhdon të mbetet po e njëjta edhe më datë 5 shkurt kur ekipi i KALLXO.com ishte në vendin e ngjarjes.

Njësoj me gjendjen, të njëjta janë kërkesat e qytetarit Valent Ibishi, i cili e frekuenton pothuajse çdo fundjavë këtë pjesë.

“Kur i kam pyet komunën kanë thënë që është përgjegjësi e ministrisë, ministria po thotë që është përgjegjësi e komunës, po asnjëra nuk është t`u kry punë. Krejt janë duke ia hedh fajin njëra tjetrës. Jena të vetëdijshëm që ky nuk është krimi i vetëm që i bëhet lumit Ibër. Ata kur e kanë dhënë lejen e rrënimit kanë mujt me e kontrollu inspektorët ku po e gjuajnë ata mbetjen e rrënimit”- thotë Ibishi.

Tutje ai thotë se mbetjet inerte të materialeve ndërtimore po i hedh kompania “Sabit Balinci”, gjë të cilën kompania në fjalë e mohon.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Mitrovicës për të sqaruar se çfarë do të bëhet më këto mbetje inerte dhe me mbeturinat në këtë zonë.

Drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Mjedisit dhe Pylltarisë, Egzon Sadiku, ka thënë për KALLXO.com se gjatë vitit 2023 janë larguar rreth 20 deponi ilegale të krijuara nga persona të papërgjegjshëm.

“Gjatë ditëve në vijim do të fillohet me aksionin e pastrimit pasi që kompania publike vetëm është autorizuar. Sfiduese mbetet fakti se komuna gjatë viteve shumë herë e ka pastruar këtë deponi ku kryesisht gjenden materiale inerte ndërtimore të cilat hedhen nga persona të papërgjegjshëm”- ka thënë Sadiku.

Ndërsa Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Valon Brahimi ka thënë se komuna e Mitrovicës ka mungesë të inspektorëve të mjedisit, teksa hapësira në fjalë thotë se është jashtë zonës urbane.

“Edhe pse në mungesë të inspektorëve të Mjedisit, inspektorët e shërbimeve publike kanë kryer vizita inspektuese të vazhdueshme në pronat të cilat menaxhohen nga Komuna e Mitrovicës, ndërsa në hapësirat ku ju i referoheni të cilat shtrihen jashtë zonës urbane, ne po shqyrtojmë (respektivisht sektori i shërbimeve publike) mundësinë ligjore që ne në bashkëpunim me ministrinë përkatëse të veprojmë në suaza të kompetencave”- ka thënë Brahimi.

Më datë 15 dhjetor të vitit të kaluar, KALLXO.com kishte raportuar për mbeturinat të cilat kishin mbuluar sipërfaqet buzë rrugëve në disa fshatra të Mitrovicës. Bëhej fjalë për fshatin Zhabar të Epërm dhe fshatin Vinarc.

Ndërsa më datë 27 dhjetor të vitit të kaluar, pas raportimit të KALLXO.com, Komuna i largoi deponitë ilegale në fshatin Vinarc.