Votimi për zgjedhjet lokale në Kosovë më 12.10.2025. Foto: Kallxo.com/Denis Sllovinja

Arrestohet një person në Graçanicë për ryshfet në lidhje me votimin, Policia gjen materiale zgjedhore dhe telefona

A.T. është arrestuar në Graçanicë nën dyshimin për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 04.06.2026, rreth orës 20:00.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur. Në lidhje me rastin janë intervistuar dy dëshmitarë meshkuj kosovarë. Është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit ku si prova materiale janë konfiskuar material për votim dhe katër telefona mobil. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”-  thuhet në raportin policor.

KALLXO.com kupton se cak i bastisjes ka qenë një lokal në Uglarë të Graçanicës.

Gjatë bastisjes, Policia ka gjetur materiale që shpjegonin mënyrën se si të votohej.

A.T. dyshohet se përmes këtyre materialeve, ua shpjegonte të tjerëve mënyrën e votimit për zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai dyshohet se u kishte premtuar qytetarëve shpërblime financiare nëse votonin kandidatë të caktuar.

Lidhur me rastin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për KALLXO.com se A.T. është ndaluar për 48 orë.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë një person me inicialet A.T., shtetas i Republikës së Kosovës, i nacionalitetit serb, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Marrja dhe dhënia e ryshfetit në lidhje me votimin’, nga neni 213 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje. Për më shumë informata ju njoftojmë me kohë” – ka deklaruar Shala.

Sipas Prokurorisë, hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, mbahen këtë të diele me 07.06.2026.