Substanca narkotike e sekuestruar. Foto: Policia e Kosovës

Arrestohen dy persona në Han të Elezit për posedim të narkotikëve

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Han të Elezit, për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje  e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë dhe janë njoftuar njësia për hetimin e narkotikëve.

Atyre iu gjetën 8 doza të mbështjellura të llojit marihuanë.

“Me datën 24.01.2024 rreth orës 23:50 policët e stacionit në Han të Elezit, gjatë patrullimit në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Han të Elezit kanë ndaluar një veturë me targa vendore dhe gjatë kontrollimit të veturës dhe personave, janë gjetur sasi e substancave narkotike, 8 doza të mbështjellura të llojit marihuanë, me peshë 11 gram”, – thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, dy personat e dyshuar janë liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa në cilësinë e provave materiale sasia e narkotikëve është sekuestruar.