Armend Muja thotë se ka pasur nënraportim të qëllimshëm të ujit në 10 vitet e fundit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka deklaruar se sipas Autoritetit Rregullativ të Ujit (ARRU) ka pasur nënraportim të prodhimit të ujit në 10 vitet e fundit.

Ky nënraportim, sipas deputetit Muja ka qenë i qëllimshëm dhe sipas gjykimit të tyre dëmi i shkaktuar ndaj interesit publik ka qenë mbi 60 milionë euro. Këto gjetje, ai tregoi se do t’ia dorëzojnë prokurorisë për hetim.

Muja tha se Autoritetit Rregullativ i Ujit ka raportuar se në 2023 po prodhohet 73% më shumë ujë se sa në vitin 2022, para instalimit të ujëmatësve, që tha se është bërë me rekomandim të partisë së tij për ARU-në.

“Në vitin 2021 ne kemi vërejt anomali sa i përket raportimit të ujit të prodhuar në disa ujësjellës të Kosovës. Për këtë arsye në 2021 i kemi nxjerrë dy rekomandime” – tha Muja në konferencë për media, të thirrur për këtë çështje.

Këto dy rekomandime, deputeti tha se kanë qenë për ARRU-në që të instalohen ujëmatësit e rinj dhe për Zyrën Kombëtare të Auditimit që të bëhet auditimi i ujit të prodhuar, shpenzimeve e investimeve kapitale. Për të dyja këto, Muja tha se kanë marrë konfirmim.

Te ujësjellësi rajonal i Pejës, “Hidrodrini”, Muja tha se në 2023, pas instalimit, po prodhohet 41% më shumë ujë se sa në vitin 2022.

“Te Prizreni na është raportuar zyrtarisht në vitin 2021 që po prodhohen 17 milionë litra kub ujë, ndërsa pas instalimit, 29 milionë litra kub ujë. Pra, është pothuajse dyfishim i prodhimit” – vazhdoi ai.

Në Gjakovë, Muja tha se nuk është raportuar 8 apo 9% e ujit.

Deputeti i LVV-së e quajti interesant faktin që sipas tij në vitin 2007, ujësjellësi i Pejës ka raportuar 35 milionë litra kub ujë.

“Çuditërisht, pas kësaj periudhe derisa ne kemi ardhë në pushtet, ky prodhim i raportuar rënë në 24 milionë litra kub ujë. Tash cila është gjetja e ARRU-së? Pas instalimit të ujëmatësve, është rikthyer në gjendjen paraprake” – tha Armend Muja.

Më tej, Muja tha se “Hidrodrini” kishte refuzuar vazhdimisht kërkesat e tyre dhe të ARRU-së për të instaluar ujëmatësit, për arsye që ai thotë se tashmë janë evidente.

Ndryshimi i masës së raportuar të ujit të prodhuar, sipas Mujës nuk ka ardhur për shkak të ndryshimit të kapaciteteve, por për shkak të matjes së saktë, pas ndryshimit të menaxhmenteve edhe nëpër Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve edhe në Autoritetin Rregullativ të Ujit.

“Dëmi që ne e gjykojmë vetëm në këto dy ujësjellës (i Pejës dhe i Prizrenit), që i është bërë interesit publik e kap shifrën vjetore rreth 6 milionë euro apo për periudhën e raportuar në 10 vitet e fundit është rreth 60 milionë euro, pa kalkuluar edhe dëmet tjera që mund të jenë në ujësjellësit e tjerë rajonalë” – deklaroi Armend Muja.

Ai akuzoi qeverinë e kaluar për dështim në monitorimin e ndërmarrjeve publike dhe te ARRU-ja, përderisa meritat për nxjerrjen e këtyre të dhënave ia atribuoi partisë së tij për ripërtëritjen e kuadrove në këto institucione.

Gjetjet e ngjashme, sipas Mujës po gjinden në të gjitha sektorët, posaçërisht te raportimi i xehes së nxjerrë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.