Ilustrim
Kuvendi seancë të enjten, diskutohet Raporti i Progresit për Kosovën
Gjetjet e Raportit të Progresit për Kosovën do të diskutohen nga deputetët të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Diskutimi për Raportin e Progresit do të jetë pikë e rendit të ditës.
“Pika e parë do të jetë Raporti i Progresit për Kosovën” – deklaroi, Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovë, Ableard Tahiri, tha se një diskutim i tillë është shumë i rëndësishëm.
“Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e rregullt ditën e enjte ne si PDK kërkuam që të jetë për diskutim raporti nga BE për Kosovën. Mendoj që diskutimi i një raporti të tillë duke diskutuar edhe gjetjet, edhe të arriturat është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne si Kuvend dhe si grupe parlamentare të japim kontributin ton për gjetjet”- tha Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Armend Muja, nga Lëvizja Vetëvendosje, pas mbledhjes së Kryesisë tha se në seancën e Kuvendit të enjten do të sillen për votim shtatë marrëveshje ndërkombëtare.
Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës të votojnë ato.
“Në seancën e së enjtes kemi disa pika që janë të rëndësishme, shumica e pikave ndërlidhen me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Siç janë marrëveshjet ajo për linjën hekurudhore 10 që lidh Prishtinën me Leshak (Mitrovicë); marrëveshja për financimin e GIZ-it për subvencione në bujqësi; marrëveshja me Danimarkën për burgjet; marrëveshja për ngrohjen në Prishtinë përmes energjisë solare që financohet nga Banka Botërore; marrëveshja për bursa me qeverinë e Francës; marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në tregje ndërkombëtare dhe marrëveshja për përkrahjen e bankës botërore për qeverise digjitale”- deklaroi Muja.
Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se kjo parti ka votuar dhe do të votoj marrëveshjet ndërkombëtare.