Asamblistët e Kuvendeve komunale që punojnë edhe në RTK

Radiotelevizioni Publik i Kosovës në nëntor të 2022 kishte miratuar rregulloren për parandalimin e konfliktit të interesit. Neni 10 i kësaj rregulloreje thotë se “përfshirja dhe angazhimi politik, shkaktojnë papajtueshmëri dhe konflikt interesi për të gjithë të punësuarit, cenojnë detyrat e tyre dhe pavarësinë e mediumit, e në veçanti, të atyre që janë të përfshirë në krijimin e programeve ose kanë përgjegjësi editoriale”. 

Në mbledhjen e 31 janarit 2024 të Komisionit parlamentar për buxhet u përmenden emrat e dy punonjëseve të RTK-së të cilët janë të përfshirë në politikë.

Mentor Vinarci, asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë mban pozitën e teknikut në RTK dhe Radije Hoxha, asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është edhe pjesë e Radio Kosovës.

Deputeti Armend Muja, kryetar i Komisionit për buxhet, tha se sipas rregullores nuk lejohen këto angazhime.

“Nuk ju lejohen angazhimet politike sipas rregullores. Është një asamblist i PDK-së në Mitrovicë, është edhe kameraman në RTK, Mentor Vinarci. Qysh ka mundësi bre kjo? RTK-ja ka vuajt shumë prej këtyre çështjeve. Herë kameraman në RTK, herë politikë”- kishte thënë Muja gjatë mbledhjes së Komisionit më 31.01.2024.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, deklaroi se “janë dy raste, është edhe një gazetare që është angazhuar si asambliste e LVV-së në Prishtinë, Mentori nuk është kameraman, është në transmetim në lidhje”.

Asamblisti i PDK-së, Mentor Vinarci që njëkohësisht është dhe pjesë e mediumit publik, tha se këtë çështje nuk e sheh si konflikt interesi.

Vinarci për KALLXO.com tha se ka marrë interpretim nga zyra ligjore e RTK-së kur kishte kandiduar që një gjë e tillë i lejohet.

“Unë me dokumentacion jam në rregull edhe në përputhje me rregulloren e brendshme të RTK-së. Domethënë kur kam apliku kam marrë interpretim ligjor prej zyrës ligjore në RTK dhe më është leju dhe nuk ka qenë konflikt interesi”- tha Vinarci për KALLXO.com

“Të njëjtën e dëshmon edhe ligji i pagave që unë kam mundësi me i marr dy paga të plota, përndryshe nëse ish kanë diçka e jashtëligjshme m`u kish dashtë me zgjedh për njërën prej tyre”- tha ai.

Vinarci theksoi se ka pozitën e teknikut në RTK, ndërsa asnjëherë nuk ka marrë vërejtje për angazhim politik nga RTK.

“Po të tregoj se me dokumentacion dhe jam në përputhje me rregulloren e brendshme të RTK-së. Aty janë ligjet, nenet që thonë se ka të drejtë gjithkush përveç gazetarëve dhe redaktorëve që janë me politika redaktoriale kanë drejt me kandidu. Është qartë e cekur në rregulloren e brendshme të RTK-së”- deklaroi ai për KALLXO.com.

Radije Hoxha asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e Radio Kosovës, tha se mbajtja e këtyre dy pozitave sipas saj “në asnjë mënyrë nuk është konflikt interesi”.

“Në radio nuk mbaj programe politike, kam fushën e kulturës. Kurse në Komunë si asambliste kam Komitetin e Shëndetësisë, aty jam asambliste dhe nuk jam as drejtoreshë, as kryesuese e Komitetit”- tha ajo për KALLXO.com.

“Është çështje profesionale dhe etike. Pa kurrfarë konflikti interesi. Populli m`i ka dhënë votat dhe mendoj që duhet ta përmbush besimin. Edhe dy vjet pensionohem”- deklaroi tutje ajo.

KALLXO.com që nga data 02.02.2024 ka dërguar pyetje menaxhmentit dhe bordit të RTK-së në lidhje me asamblistin Vinarci dhe asamblisten Hoxha, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje.

Nënkryetarja e bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti në mbledhjen e Komisionit për buxhet kishte thënë se janë duke pritur një raport nga menaxhmenti sa i përket rasteve të konfliktit të interesit.

KALLXO.com publikoi në vitin 2021 hulumtimin i cili tregonte punësimet politike në Radio Televizionin e Kosovës.

Në atë kohë, në RTK ishin punësuar Leutrim Thaçi e Festina Cakolli Thaçi, djali dhe reja e Gani Thaçit, ky i fundit vëllai i ish presidentit Hashim Thaçi.

Djali dhe reja e Gani Thaçit punësohen në RTK 

Ndërsa vitin e kaluar më 31.01.2023, Rilind Gërvalla, (ish) financues i LVV-së ishte zgjedhur drejtor i televizionit.

Gërvalla është pjesë e RTK-së që nga themelimi.

Financuesi i Vetëvendosjes zgjidhet drejtor i kanalit në gjuhën shqipe RTK1, 3 dhe 4