Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muja: Gratë në RTK paguhen më pak se burrat për punë përafërsisht të njëjta

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja ka thënë se gratë në Radio Televizionin e Kosovës paguhen më pak së burrat për pothuajse punët e njëjta.

Muja këto deklarata i ka bërë dje gjatë raportimit të bordit dhe drejtorit të RTK-së para këtij komisioni.

Muja ka thënë se në RTK 63% e punonjësve janë burra dhe 37% e tyre janë gra.

“Ende në RTK janë 63% burra ndërsa 37% janë gra. Përmes një verifikimi gratë në RTK jo vetëm që janë më pak por paguhen më pak për punët pothuajse të njëjta” – tha ai.

Muja theksoi se ligji kërkon që punonjësit të jenë 50% gra dhe 50% burra ndërsa ka dhënë kritika për këtë.

“Edhe sektori privat është më mirë se ju. Sektori privat po prin sa i përket këtij ligji. Ju jeni larg. RTK na duhet një plan deri në fund të raportimit të ardhshëm si e keni nijet me e zbatu këtë ligj” – theksoi ai.

KALLXO.com kishte gjetur se në Televizionin Publik të Kosovës në një rast ka pasur paga të ndryshme për burrat dhe gratë që ushtrojnë profesione të njëjta.

Fadile Kryeziu dhe Mustafë Muqaj ishin angazhuar me kontratë për shërbime në televizionin publik si prezantues të lajmeve në edicionet qendrore dhe edicionet e tjera.

Puna e tyre në prezantim dhe norma ishin të njëjta dhe bashkë me to edhe hapësirat ku prezantonin lajmet, por dallonin pagat që ata merrnin.

Në një listë të pagave të muajit nëntor të vitit 2021 që ka siguruar KALLXO.com, Muçaj paguhet 980 euro në muaj, ndërsa Kryeziu 700 euro në muaj. Pra, kishte një diferencë në pagë prej 270 euro.

KALLXO.com ka publikuar hulumtimin në shtator të 2023 me rrëfimet e tri profesionisteve të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik (RTK) por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara. Ilire Zajmi, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK, kanë rrëfyer procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.

Radio Televizioni i Burrave