Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli paraburgimin jua zëvëndëson me arrest shtëpiak dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës

Gjykata e Apelit ia ka zëvendësuar paraburgimin me arrest shtëpiak dy zyrtarëve të Suharekës, Berat Kabashi dhe Enver Shabani të dyshuar për keqpërdorim në një tender.

Dy zyrtarët publikë, Shabani dhe Kabashi ishin arrestuar me dyshimin se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender dhjetëra-mijëra euro për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Blerim Mazreku i cili ka thënë se pas ankesës në Gjykatën e Apelit masa është ndryshuar.

Apeli ka arsyetuar se vendimi i shkallës së paraburgimit është jo i drejtë dhe jo proporcional pasi që sipas Apelit nuk ka ndonjë rrethanë të posaçme.

Shkalla e dytë me tej ka vlerësuar se të gjitha faktet vendimtare drejtojnë në aplikimin e arrestit shtëpiak.

“Gjykata e Apeli vlerëson se të gjitha faktet vendimtare drejtojnë në aplikimin e masës së arrestit shtëpiak duke qenë se me këtë masë do të mundësohej realizmi i suksesshëm i procedurës penale pasi që arresti shtëpiak bën kufizimin e lirisë së të pandehurit duke shmangur veprimet e ndikimit, arratisjes deh përsëritjes së veprës andaj kjo mund të konsiderohet si proporcionale”- thuhet mes tjerash në arsyetimin e vendimit të Apelit.

Arresti shtëpiak mund të zgjasë deri më 28 tetor të këtij viti.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani dhe zyrtari komunal, Berat Kabashi janë arrestuar më 22 gusht me dyshimin se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender dhjetëra mijëra euro për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

Të dyshuarit, kanë qenë të angazhuar në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kontratës në fjalë ku vlera sipas Prokurorisë ka qenë mbi 74 mijë euro.

Në dosje tutje thuhet se të dyshuarit kanë përpiluar procesverbaleve, dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në terren kontrata nuk është realizuar.

Sipas Prokurorisë të pandehurit Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës me numër prokurimi 624-22-1007-5-2-1 dhe 624-22-016-521 me titullin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”, në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për Operatorin Ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.