Ngritet aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të Trepçës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konfliktit të interesit

Prokuroria e Mitrovicës, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër katër zyrtarëve të ndërmarrjes Trepça SH.A, H.U, Q.B, S.I dhe Xh.T., për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe konflikt të interesit.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria e Mitrovicës të hënën (15.04.2024) ka bërë të ditur se H.U, Q.B dhe S.I po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me qëllim që personit A.T., të i përfitojnë dobi pasurore lidhur me mospërfilljen e procedurave ligjore që kanë të bëjnë me konkurse publike.

Kështu, sipas njoftimit, H.U., në cilësinë e kryetarit të komisionit së bashku me anëtarët e këtij komisioni, Q.B dhe S.I, akuzohen se kanë përpiluar e nënshkruar raportin për propozimin e kanditatit vetëm për A.T për pozitën e shoferit. A.T., sipas njoftimit ka qenë vozitësi i menaxherit të kësaj ndërmarrje.

Sipas njoftimit, edhe pasi të akuzuarit e kanë ditur se pasi nuk kanë qenë tre kandidatë që i kanë plotësuar kushtet për konkurs, duhej përsëritur konkursi.

Ndërkaq për të pandehurin Xh.T, ushtruesi i detyrës së menaxherit të ndërmarrjes në fjalë, Prokuroria thotë se akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare, e kjo po ashtu me qëllim të përfitimit pasuror për personin A.T.

Sipas këtij njoftimi, konkursi edhe pse është dashur të jetë i hapur për 15 ditë, i njëjti është mbyllur pas 8 ditësh nga dita e publikimit.

Xh.T, sipas njoftimit, është në marrëdhënie familjare me A.T, të cilin e ka vëlla, kështu akuzohet se me dashje nuk e ka përfillur Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, pasi akuzohet se me vendimin e datës 29.03.2019 ka pranuar vëllaun e tij për pozitën e vozitësit në këtë ndërmarrje.