Foto: Edward P Joseph/Twitter

Analisti amerikan: Është koha për një vizitë të presidentes Osmani në Shtëpinë e Bardhë

Analisti amerikan i politikës së jashtme, Edward Joseph, ka deklaruar se është koha që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të ftohet për vizitë në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

Ky reagim i profesorit të Universitetit, Johns Hopkins në SHBA ka ardhur pas një bisede telefonike që është zhvilluar mes Osmanit dhe Ndihmësekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Sipas tij, Osmani dhe O’Brien me këtë rast kanë dërguar sinjale të forta për rreshtimin Kosovë – SHBA në çështjet kyçe.

“Në një moment të rëndësishëm të marrëdhënieve është koha të vendoset në tryezë një vizitë në Zyrën Ovale për presidenten Osmani”, ka shkruar Joseph në “X”.

 

Në një postim në platformën “X”, presidentja Osmani ka shkruar se me O’ Brien, kanë diskutuar të hënën (01.04.2024) për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.

”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoi rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatin tonë SHBA në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KiE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit” – shkroi presidentja.

Ndërkaq, O’Brien, duke iu referuar bisedës telefonike që kishte me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se kanë diskutuar për rregulloren e BQK-së në lidhje me dinarin si dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Zyrtari amerikan mes tjerash përmendi zbatimin e marrëveshjeve mes të dyja palëve, përfshirë formimin  e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës.

“Telefonatë e mirë me Vjosa Osmanin sot. Ne diskutuam rëndësinë e zbatimin e rregullave monetare në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin e pakicës serbe, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e Dialogut të BE-së – për Kosovën, e  kjo përfshin AKS-në” – shkroi O’Brien në platformën “X”.

Zyrtari amerikan O’Brien ia përmend Osmanit Asociacionin