Ambasadori Hovenier takon ministrin Maqedonci, diskutojnë për tranzicionin dhe bashkëpunimin për FSK-në

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Përmes një postimi në Twitter, Hovenier edhe një herë ka shprehur mbështetjen për rrugën e tranzicionit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK)

“Kënaqësi që sot pasdite u takova me ministrin e ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë, veçanërisht në mbështetje të tranzicionit 10-vjeçar të FSK-së në një forcë mbrojtëse territoriale multietnike, profesionale, të ndërveprueshme nga NATO”- ka shkruar Hovenier.

Edhe Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ky takim është zhvilluar në vazhdën e takimeve njoftuese,

Sipas njoftimit në Facebook, ministri Maqedonci është shprehur falënderues për këtë vizitë dhe gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e përhershme dhe të pazëvendësueshme që ka kanë ofruar SHBA.

“Ministri Maqedonci në vazhdim e njoftoi ambasadorin Hovenier edhe me objektivat kryesore të tij dhe për prioritet që do të ketë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bazë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, konform standardeve të NATO-s, në bashkëpunim të ngushtë me miqtë dhe aleatët tanë, përkrah së cilëve jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë në çdo mision të rëndësishëm, duke kaluar kësisoj nga konsumues të sigurisë në garantues të saj”- thuhet në njoftim.

Ejup Maqedonci mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes pasi që Armend Mehaj dha dorëheqje nga drejtimi i ministrisë.

Kurti emëron Ejup Maqedoncin ministër të Mbrojtjes