Akuzohen se shpërndanë fletushka që kishin qëllim kritikën ndaj sektit fetar “Shia”, të akuzuarit nuk e pranojnë fajsinë

Në Gjykatën e Prishtinës sot më 17.03.2026 është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Xhelal Shalës dhe Kosovar Halimit të akuzuar për nxitje të përçarjes dhe mos durimit.

Të pandehurit Xhelal Shala dhe Kosovar Halimi po akuzohen se me datë 06.05.2022 në fshatin Babaj të Bokës më Gjakovë, në objektin fetar të quajtur “Tyrbja e Pulaj”, gjatë manifestimit tradicional në atë zonë kanë shpërndarë fletushka më përmbajtje fetare.

Sipas Prokurorisë përmbajtja e këtyre fletushkave kishte për qëllim kritikë ndaj besimit, bindjeve dhe zakoneve të sektit fetar “Shia”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, dy të akuzuarit deklaruan se nuk e pranojnë fajsinë për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

Pas deklarimit të të akuzuarve, gjyqtarja e rastit Medie Bytyqi njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se deri me datë 16 prill 2026 kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Dosja e Prokurorisë

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 09.07.2024 dhe të ndryshuar me datë 16.03.2026, thuhet se të akuzuarit, Xhelal Shala dhe Kosovar Halimi kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve fetare.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit me datë 06.05.2022 rreth orës 13:00 në fshatin Babaj të Bokës në Gjakovë, në objektin fetar Tyrbja “Pulë”, gjatë manifestimit tradicional në atë zonë, me dashje kanë udhëtuar nga Prishtina për në vendin e quajtur “Tyrbja e Pulaj, dhe kanë shpërndarë fletushka me përmbajtje fetare “Tyrbet fat apo fatkeqësi”, “Dita e Shëngjergjit”.

Sipas Prokurorisë, përmbajtja e këtyre fletushkave kishte për qëllim kritikë ndaj besimit, bindjeve dhe zakoneve të sektit fetar “Shia”, duke ndikuar tek popullata e mbledhur aty kryesisht e sektit fetar “Shia” që të ndryshojnë mendimin, besimin dhe bindjet e tyre ndaj tyrbeve dhe ritualeve që zhvillohen në to.

Me këto veprime dy të akuzuarit Xhelal Shala dhe Kosovar Halimi nga Prokuroria Speciale po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.