I akuzuari për krime lufte në zonën e Istogut, Ekrem Bajroviq, Foto: KALLXO.com
Akuza për krime lufte në Istog, Ekrem Bajroviq nuk e pranon fajësinë
Ekrem Bajroviq u ul sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë viteve 1998 – 1999 në zonën e Istogut.
Lidhur me këto akuza që i bien në barrë nga Prokuroria Speciale, i akuzuari u deklarua se ndihet i pafajshëm.
Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998 – 1999, në Komunën e Istogut si dhe në fshatrat përreth ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.
Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.
Aktakuza thotë se në fshatin Staradan, me datë 8 maj të vitit 1999, kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë meshkujt nga pjesa tjetër e grupit.
Fillimisht, atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.
Përgjatë kësaj, sipas aktakuzës, iu ishin drejtuar me fjalët “Ku e keni NATO – n” e “ku e keni UÇK – në”.
Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilin kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë, vetëm një prej të cilëve kishte mbijetuar i plagosur.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 maj të vitit 1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.
Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakoc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnerjëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakoc.
Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.
Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psiqike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.
Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.
Aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Ilir Morina, kurse rastin po e gjykon gjyqtari i Departamentit Special, Mentor Bajraktari.