Mahmut Halimi, avokati i Ridvan Muharremit. FOTO: KALLXO.com

Afera në MINT, avokati i Ridvan Muharremit: E ka angazhuar direkt ministrja Hajdari

Mahmut Halimi, avokati i afaristit Ridvan Muharremi, i cili u arrestua dje nën dyshimet për keqpërdorime të rezervave shtetërore të Kosovës, ka treguar para mediave se cili ka qenë roli dhe angazhimi i Ridvan Muharremit.

Avokati Halimi ka treguar se si u angazhua Ridvan Muharremi nga Ministristria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Sipas tij, Muharremi është angazhuar direkt nga Ministrja Rozeta Hajdari.

“E ka angazhuar ministria, drejtpërdrejtë ministrja Hajdari. E ka lut, e ka njoftë si person afarist që ka një traditë jashtëzakonisht të gjatë dhe ka një rrjet shumë të gjerë të miqve të vet afarist”- tha avokati para mediave.

Ai shpjegoi edhe kronoligjninë se si ka rrjedhur e gjithë procedura.

“Është matë sasia, kualiteti, parametrat e tjerë të nevojshëm, iu ka vendos bllompa, sasia domethënë kilogramët, edhe zotëria që e ka shitur atë mall, shitësi i mallit 10 mijë e 6 mijë tonelata, 6 tonelata i ka dhënë falas për Kosovë. Kaq ka mundësi dhe i ka dhënë falë, ka thirrë zotëri Ridvani auditorin e shtetit tonë, jo auditor privat por të shtetit i cili e ka konstatuar gjendjen edhe per sasi sa ka edhe për kualitetin edhe për të gjtiha parametrat e tjerë… (malli) është nisë për destinacion Kosovën, përmes portit të Durrësit…” – shpjegoi avokati.

Sipas avokatit, atë ditë që është kryer transaksioni dhe është ngarkuar malli për t’u nisur, Muharremi është kthyer në Prishtinë.

“Dhe drejt ka shkuar në Ministri ku i ka njoftuar se malli do të vijen në portin e Durrësit edhe duhet që dikush të shkojë për ta bërë kontrollimin” – ka shtuar avokati.

Sipas avokatit, Muharremi e ka kryer misionin e tij me shpenzime të veta.

“Vlen të theksohet kjo” – ka shtuar ai kur ka treguar se kjo punë është kryer me shpenzimet e Muharremit.

Gjatë prononcimit të tij para mediave avokati u pyet edhe se cilat janë raportet e Muharremit me zyrtarët e Qeverisë Kurti.

“Janë mysafirë të cilët shkojnë në restoranin e tij. E ka një restoran modest në të cilin shërbehen ushqime tradicionale” – ishte përgjigja që e dha avokati.

Gjykata e Prishtinës ka vendosur sot t’ua jap 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, paraburgimi për Ridvan Muharremin është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.