Akademik Feriz Krasniqi. Foto ASHAK.

Vdiq akademik Feriz Krasniqi

Ka vdekur sot në moshën 93-vjeçare akademik Feriz Krasniqi.

Lajmi për vdekjen e akademik Krasniqit është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Akademik Feriz Krasniqi ishte anëtar korrespodent i ASHAK-ut nga viti 1996 dhe anëtar i rregullt nga viti 2000.

Feriz Krasniqi lindi më 1931 në Tërpezë të Malishevës, ku kreu edhe shkollën fillore, gjimnazin e ulët e mbaroi në Prishtinë, ndërsa Shkollën Normale në Gjakovë.

Më 1954 diplomoi në degën e biologjisë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Nishit, ndërsa më 1961 diplomoi po në degën e biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Shkupit.

Punoi në Shkollën Normale të Prizrenit dhe na viti 1961 u zgjodh asistent në katedrën e biologjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës.

Doktoroi më 1968 në Universitetin e Beogradit dhe nga viti 1969 punoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP deri kur doli në pension. Ushtroi edhe pozitën e rektorit të Universitetit të Prishtinës.

Akademik Feriz Krasniqi ka publikuar punime të shumta shkencore nga kjo lëmi, të cilat janë botuar në revista të ndryshme shkencore të qendrave të ndryshme universitare. Ka dhënë kontribut të vlershëm në studimin e florës dhe vegjetacionit të Kosovës.

Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e akademik Krasniqit, ASHAK do të mbajë të dielën në ora 11:00 një mbledhja komemorative. Homazhet do të bëhen në ora 11:30-13:00. Varrimi i të ndjerit do të bëhet në ora 14:30 në varrezat e Prishtinës.