Skenë nga filmi ‘I love you more’. Foto: KALLXO.com.

‘I love you more’, dashuria e adoleshentit që u ekranizua për të thyer barrierat

Jo rrallë herë përvojat e tyre jetësore, skenaristët apo regjisorët i përkthejnë në vepra kinematografike. Njëjtë ka vepruar edhe regjisori Erblin Nushi. Një pjesë të historisë së tij si adoleshent i ka shërbyer për të krijuar filmin e tij, “I love you more” ( Të dua më shumë).

Por, ajo çfarë e bën më të veçantë filmin e Nushit, janë tema dhe mesazhi që përçon.

‘I love you more”, që për disa net u shfaq në Kinemanë Cineplexx në Prishtinë, shpërfaq dashurinë e dy personave të gjinisë së njëjtë. Trajtimi i tematikave që të tilla vazhdimisht komentohen e shihet në kënde të ndryshme. Shpeshherë në mënyrë të papërshtatshme. Filmi përçon mesazhe, porosi, por edhe thirrje për respektim të të drejtave të komunitetit LGBTQ+.

Beni, një adoleshent, i dashuruar marrëzisht në një moshatar përmes kontaktit virtual duhet të gjejë rrugën më të përshtatshme për të mos shkuar në Amerikë pa takuar fizikisht atë, edhe pse kishin fituar Green Card-në. Njëkohësisht atij i duhet të mbrojë dashurinë e tij para fëmijës dhe rrethit tepër arkaik për orientimin seksual.

Në betejën e tij për të realizuar ëndrrën, Beni, ‘bind’ familjen e tij, takon Leon, të dashurin që e ka njohur përmes internetit, por përfundon i dëshpëruar në dashurinë tij euforike dhe bindet se Amerika është mundësia më e mirë e tij për të realizuar – për të fituar lirinë, shpërfaqjen lirshëm të orientimit të tij seksual, si pjesë e komunitetit LGBTQ+.

Skenë nga filmi ‘I love you more’. Foto: KALLXO.com.

Rrëfimi nga vetvetja

Pak a shumë, nëpër një përjetim të tillë ka kaluar edhe regjisori filmit, Erblin Nushi. Në një prononcim për KALLXO.com, Nushi ka thënë se një pjesë të mirë të filmit “I love you more” e ka mbështetur në historinë e tij personale.

“Unë jam lind e rrit në Kosovë, këtu kam përjetuar dashurinë e parë, e cila erdhi në kohën kur familja ime fitoi Green Card-në për në Amerikë (SHBA), që ishte një ëndërr e imja dhe familjes, por në atë kohë, unë isha i dashuruar, apo siç është dashuria e parë, i verbëruar. Nuk doja të shkonim në Amerikë pa e takuar dashurinë e parë që në atë moment ishte vetëm virtuale, përmes msg-së në atë kohë”- thotë Nushi. Ai tregon se shumë prej storieve që ka përjetuar ai si adoleshent janë në filmin e tij.

Ai thotë se qëllimi i filmit është që të respektohen ndjenjat orientimet seksualet të njerëzve, pavarësisht ndryshimeve, pasi, sipas tij, nëse kjo bëhet atëherë sfidat e personave ‘queer’, apo të komunitetit LGBTQ+” do të tejkalohen lehtë, e jo të bullizimi apo etiketohen publikisht.

Ai thotë se nuk e pa pasur të lehtë realizimin e filmit, në radhë të parë, për shkak të temës. “Gjithë procesi për realizmin e filmit nga fillimi deri në fund ka qenë sfidues, vështirësitë kanë qenë të natyrave të ndryshme, më akuzonin e më sabotonin në mënyra të ndryshme, Por ajo që e bëri më të vështirë, ishte pikërisht tema që unë po e trajtoja në filmin tim”- thotë Nushi. Por, pavarësisht sfidave, vështirësive e pengesave, ai thotë se e ka arritur qëllimin dhe se është një sukses për kinematografinë tonë.

Porosia e veçantë

Se filmi, realizimi i filmit ishte një sukses jo vetëm pë rstafin, por edhe për kinematografinë tonë, thotë edhe aktorit Don Shala. Aktori Shala, që luan rolin kryesor në filmin ‘I love you mor”, atë të Benit, thotë për KALLXO.com se nuk ka qenë dhe aq e lehtë të luaj në këtë film.

“Ka qenë shumë sfiduese, për faktin që personalisht nuk i takoj të njëjtit orientim, gjithashtu edhe se storia e filmit është jeta personale e regjisorit, që e ka bërë më të rëndë barrën, por me ndihmën e regjisorit dhe kolegëve puna më është lehtësuar për disa shkallë”- ka thënë ai, duke shtuar se profesioni i aktorit nuk e lejon të dorëzohet para ngjyrimeve apo thashethemeve.

Ndërsa, regjisorja Arlinda Morina, në një prononcim për KALLXO.com ka veçuar porosinë që transmetohet përmes filmit “I love you more”.

“Mesazhi është shumë i qartë të respektohen të drejtat e njeriut pa marrë parasysh dallime feje, kombësie e orientimi seksual. Duhet të shikohet që gjykimi për komunitetin LGBTIQ të zvogëlohet, që të kuptohet që ka njerëz me dëshira seksuale të ndryshme. E unë i bëjë thirrje audiencës që ta shoh  filmin ‘I love you more’ që vetëdija të bëhet më e hapur”- ka thënë regjisorja Morina.

Filmit ‘I love you more’ është shfaqur premierë botërore në edicionin e 35-të të Festivalit të  Filmit Queer në Vancouver të Kanadasë. Ndërsa, do të shfaqet të shtunën në Kino Armata në kuadër të Prishtina Queer Festival.