Skenë nga filmi ‘Buka dhe turpi’. Foto: BA.

Nis të ekranizohet romani ‘Kësulëkuqja, përrallë për të rritur’ i Ag Apollonit

Një fragment nga roman “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” i Ag Apollonit është në proces të ekranizimit.

Filmi i metrazhit të shkurtër me titullin “Buka dhe turpi” me regji të Ben Apollonin është në fazën e post-produksionit.

Filmi i bazuar në një pjesë të romanit të Apollonit, rrëfen dramën brenda një familje, vuajtjet dhe paragjykimet për gruan e dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Në një lagje të Prishtinës, një familje katër anëtarëshe po darkojnë, në një natë vjeshte, disa vite pas luftës në Kosovë. Heshtja e acaron burrin që nuk mund të durojë mendimet për gruan, e cila kohë më parë ka treguar se është një nga gratë e dhunuara gjatë luftës.

Por, kjo darkë zbulon edhe sekretet e anëtarëve tjerë të familjes.

Janë pikërisht këto elemente që kanë shtyrë regjisorin Apollonin drejt realizmit të filmit “Buka dhe turpi”.

“Arsyeja se pse kam vendosur ta realizoj këtë film, bazuar në një fragment te romanit të Agut (Apollonit) është se kur e kam lexuar jam tronditur nga drama që ka brenda atij tregimi të atyre katër personazheve”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se filmi do të zgjas 9-10 minuta, kurse xhirimet janë bërë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

“Filmi tani është në fazën e post-produksionit, ku do të bëhet korrektimi i ngjyrave, dizajni i zërit, etj., dhe besoj që jo shume larg do të jetë data kur do ta ketë premierën”- ka thënë regjisori Apolloni.

Në film luajnë aktorët Astrit Kabashi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi dhe Fatlume Bunjaku.